2018-01-05 15:30:00

Papa Françesku viziton Spitalin Pediatrik të Krishtit Fëmijë në Palidoro


Sot pasdite, Papa Françesku shkoi për vizitë në Spitalin Pediatrik të Krishtit Fëmijë në Palidoro, pranë Romës. E para e “Premte e Mëshirës” e 2018-së në strukturën spitale 30 km nga Roma. Papa Françesku përshëndeti fëmijët e shtruar në spitalin Bambino Gesù në Palodoro, familjet e tyre dhe personalin mjekësor.

Në një festë të papërshkrueshme për fëmijët e shtruar, për prindërit e tyre dhe për personelin, Ati i Shenjtë kaloi nëpër reparte të ndryshme dhe përshëndeti rreth 120 fëmijët e shtruar. U nis nga Vatikani në orën 14.30, për të mbërritur në spital rreth orës 15.00. Vetëm pak orë para festës së Dëftimit të Zotit, Papa u dha fëmijëve nga një dhuratë, përqafoi prindërit, duke i inkurajuar të jetojnë me shpresë çastin delikat të shtrimit në spital të fëmijëve të tyre. Falenderoi mjekët, infermierët dhe gjithë personelin e spitalit.

Selia e Palidoros e Spitalit të njohur Pediatrik, ku janë shtruar në vite edhe shumë shqiptarë, lindi në vitin 1978, si dhuratë nga ana e Papës Pali VI. Në atë vit, një “reskript” (përgjigje me shkrim) i Atit të Shenjtë ia besonte Spitalit veprimtarinë, që deri atëherë e kishte administruar Vepra Papnore e Asistencës në Palidoro, e specializuar në kurimin e pasojave të poliomelitit. Kështu, Spitali i Krishtit Fëmijë (Bambino Gesù), i cili selinë kryesore e ka në Romë, mori përsipër strukturën, duke e shndërruar gradualisht, fillimisht në një repart ortopedie dhe në atë për trajtimin e diabetit e, pastaj, duke shtuar repartet e kirurgjisë, të otorinolaringoiatrisë dhe të okulistikës.

Shifrat dhe repartet

        Në selinë e Palidoros ndodhen një pikë ndihme e shpejtë me shumë specialitete mjekësore; 122 shtretër, nga të cilat 8, rianimacioni e 30, neurorehabilitimi; 19 shtretër për shtrim ditor; 20 shtretër për kirugji ambulatoriale; 3 salla operacioni, një sallë hemodinamike, shërbime laboratori dhe radiografie.

Pak histori

         Ajo e Spitalit të Krishtit Fëmijë ka qenë gjithnjë histori dhuratash, që nga viti 1869, kur duka Scipione Salviati dhe gruaja e tij Arabella Fitz-James vendosën të themelojnë një spital për të mjekur fëmijët e sëmurë. Ishte 25 shkurt, dita e lindjes së dukeshës e gjithçka filloi nga një kuti kursimi në terrakotë, thyer nga familja Salviati. Simbolikisht, ai gjest vuri bazat e një rrjeti me dhurata, që e çuan Spitalin e Krishtit Fëmijë në dorën e Papës. Roma kishte pak më tepër se 200 mijë banorë, jetonte me bujqësi dhe nuk kishte struktura pediatrike. Spitali lindi jo nga muret me llaç e tulla, por nga katër vajza të sëmura, shtruar në një dhomë pranë jetimores së Shenjtorëve Kreshenci e Kreshentini. Në vitet e para, asistenca iu besua katër murgeshave vinçenciane, një mjeku klinik dhe dy mjekëve kirurgë, dy infermiereve dhe një portieri.

         Në prag të 150-vjetorit të spitalit, ajo dhomë është shndërruar në katër pole mjekësore: selia historike e Gianicolo-s e selia e re e Shën Palit jashtë mureve, në Romë; pastaj, qendrat e Palidoros dhe të Santa Marinella-s. Gjithsej, 607 shtretër, 27 mijë të shtruar në vit, 339 transplantime, 44 mijë shtrime ditore, 80 mijë ndihma të shpejta, më se 1 milion e 700 mijë vizita e trajtime të tjera në ambulancat e të gjitha selive. Papa i parë, që kapërceu pragun e strukturës, pronë e Selisë së Shenjtë, ishte Gjoni XXIII, tashmë shenjt. E gjithë bota u emocionua kur pa një fëmijë të sëmurë, që kujtoi se Ati i Shenjtë ishte Babagjyshi i Krishtlindjes. Që atëherë, të gjithë Papët e mëpasëm kanë shkuar së paku një herë për vizitë në këtë spital.

         Vlejnë edhe sot fjalët e Papës Piu XI, i cili, pavarësisht nga shpenzimet e shumta për mbajtjen e strukturës, e mori përsipër spitalin në vitin 1924, duke shpjeguar: “Asistenca spitalore e fëmijëve të varfër i përshtatet shërbimit Tonë, që edhe në këtë [rast], vazhdon veprën e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili i bëri objekt të dashurisë së tij të veçantë fëmijët dhe deshi t’i kishte pranë vetes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.