2018-01-04 15:52:00

Ipeshkvi i Arezzo-s tek Papa. Ndërmjet temave të prekura: emigracioni dhe anullimi i martesave


Të shumta, çështjet e trajtuara gjatë audiencës në Vatikan: nga problemet e lidhura me territorin, tek emergjenca e emigracionit e deri tek shqetësimi për Jeruzalemin dhe tensionet e reja, që shpërthyen pasi u njoftua se presidenti amerikan Donald Trump dëshiron ta shpallë kryeqytet të Izraelit.  

Vizitë e rëndësishme  dhe e shumëpritur, kjo e sotmja. Françesku u takua me kryeipeshkvin e Arezzo-Cortona-Sansepolcro, imzot Riccardo Fontana, i cili u prit në studion e Papës në Vatikan, në orën 11 të paradites së sotme.

Integrim e mbrojtje

Ishte audiencë tejet  e këndshme, gjatë së cilës folëm për shumë çështje, e edhe shumë konfideciale - pohon imzot Fontana. Ati i Shenjtë  - shton - më priti me shumë vëmendje e nderim e më ngushëlloi për disa gjëra, posaçërisht për çështjen e emigrantëve, që po i strehojmë në dioqezë, jo pa vështirësi. Ishte një gjë shumë e bukur. E unë mora edhe bekimin  e tij lidhur me disa perspektiva konkrete kanonike, që po i përgatisim për t’i zgjidhur mirë situatat, që i jetojmë çdo ditë. Kujdesi ynë është të arrijmë në zgjidhje konkrete për një integrim të bërë mirë, sipas profilit kanonik: që këta refugjatë, këta emigrantë, këta vëllezër tanë, të konsiderohen si vëllezër katolikë, nëse janë të tillë, përndryshe, si njerëz, që duhen ndihmuar, duhen mbrojtur e integruar, siç na e kujton vazhdimisht Papa, edhe pse nuk janë të krishterë.

Anullimet e martesave

“Ishte një ballafaqim shumë i lirë e sidomos, shumë pozitiv- sipas fjalëve të imzot Fontanës. Papa - shtoi prelati - u gëzua shumë kur e njoftova për numrin e madh të vendimeve lidhur me anullimin e martesave, realizuar pas Letrës apostolike në formë Motu proprio, Mitis iudex, në dioqezën tonë, pikërisht sipas porosive të tij e plot me mëshirë. Janë martesa të anulluara, ashtu si dëshiron Papa, pa i persekutar njerëzit me burokraci të pafundme. Papa ka shumë të drejtë”.

Afërsi me Jeruzalemin

Dioqeza e Arezzo-s, që nga viti 2010, është probatine me Patriarkanën Latine të Jeruzalemit. Pakt miqësie e bashkëpunimi, që realizohet përmes një mori mënyrash  e që Papa e përshëndeti plotësisht. Por pikërisht falë këtij bashkëpunimi, edhe e posaçërisht shpirtëror, imzot Fontana deshi të shprehte afërsinë e tij me Tokën Shenjte, në një çast kaq delikat, që shkaktoi rishpërthimin e tensioneve. Më 13 janar – deklaroi kryeipeshkvi - do të shkoj rishtas në Jeruzalem. Atje ka shumë lutje në këto ditë Krishlindjeje, por ka edhe qëndrime të vendosura në favor të Tokës së Jezusit, që të mos dhunohet, të mos ndizen tensione të reja e të mos mbahen qëndrime krejtësisht të njëanshme, që nuk përkojnë me status quo-në. E ne kemi të njëjtin qëndrim, që ka edhe Selia e Shenjtë: në vogëlsinë tonë, ripohojmë gjithnjë atë që thotë Selia Apostolike”.








All the contents on this site are copyrighted ©.