2018-01-03 12:09:00

Papa në audiencën e përgjithshme: mëkati të ndan nga Zoti e nga vëllezërit


Pranimi i ligështisë sonë është përvojë, që të forcon, ta hap zemrën për të kërkuar mëshirën e Zotit, të ndihmon të bësh kthesë e të shndërron. Ndërsa mëkati të ndan nga Zoti e nga vëllezërit. Sot paradite, në katekizmin e audiencës së parë të përgjithshme të vitit të ri, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa Françesku shpjegoi kuptimin e punës së pendimit, duke vijuar kështu, ciklin e reflektimeve kushtuar Kremtimit eukaristik. I pritur me entuziazëm të madh nga mijëra besimtarë e shtegtarë në festë, si zakonisht, duke hyrë në Sallë, u ndalua për të përqafuar posaçërisht fëmijët.

Nuk duhet të jeni mendjemëdhenj, të ngopur me drejtësinë tuaj

“Ç’ mund t’i japë Zoti, atij që e ka  zemrën përplot me vetveten, me suksesin e vet? - pyeti Papa. - “Asgjë” - pohoi -  sepse njeriu fodull është i paaftë të kërkojë falje, i ngopur deri në grykë, siç është, me atë, që ai e pandeh si drejtësi, por që kështu nuk është. Ndërsa Mbreti David, publikani, djali plangprishës, por edhe Shën Pjetri, Zakeu e samaritania patën guximin ta hiqnin maskën e t’i luteshin me gjithë zemër Zotit të kishte mëshirë për ta.

Kush është i vetëdijshëm për mjerimet e veta dhe e ul përvujtërisht kokën, ndjen si pushon mbi të syri i mëshirmadh i Zotit. E dimë, përmes përvojës sonë, se kush i pranon gabimet e kërkon falje, mirëkuptohet e edhe falet nga të tjerët.

Lëshimet: nuk mjafton të mos bësh keq, duhet bërë mirë

Françesku fton ta pranojmë se mendimet e veprimet tona shpesh herë janë sipas shijeve të botës, prandaj bëhet puna e pendimit, me formulën e rrëfimit të përgjithshëm, e shqiptuar në vetën e parë njëjës. E rrëfehet se ke mëkatuar shumë, jo vetëm me mendime, me fjalë e me vepra, por edhe “me lëshime” - nënvizoi Papa - sepse nuk mjafton të mos i bësh keq të afërmit, por duhet t’i bësh mirë, duke shfrytëzuar çdo rast,  që të ndihmon të japësh dëshminë e bamirësisë.

Mëkati  të ndan e të përçan nga Zoti e nga vëllezërit

I lypet falje Zotit e vëllezërve, sepse mëkati të ndan nga të dyja palët. Mëkati këput, gjithçka: këput lidhjen me Zotin e lidhjen me vëllezërit, lidhjen me familjen, me shoqërinë, me bashkësinë… mëkati këput, ndan, gjithnjë, mëkati përçan.

Të rrahësh gjoksin - vijoi të shpjegojë Papa - do të thotë, pastaj, ta pranosh se mëkati u bë për fajin tënd e të mos e ngresh gishtin për të akuzuar të tjerët.  E, për ta shpjeguar më mirë këtë, Papa tregoi një anekdotë, dëgjuar nga një misionar: “Shkoi tek ai një  grua për t’u rrëfyer e t’ia nisi të tregojë mëkate pas mëkatesh:  mëkatet e të shoqit, të së vjehrrës, të fqinjve… Atëhere meshtari  i tha: “Tani, pasi i tregove mëkatet e botës,  mund të fillosh me tuajat”.

Së fundi - kujtoi Papa - posaçërisht të dielave, mund të  bëhet bekimi i ujit dhe spërkatja me të, në kujtim të Pagëzimit, që i shlyen të gjitha mëkatet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.