2018-01-02 14:25:00

Taizé: në Madrid, takimi i ardhshëm evropian i të rinjve


Takim në Madrid. Do të jetë qyteti spanjoll ai, që do të presë Takimin e ardhshëm evropian të të rinjve, organizuar çdo Vit të Ri, nga Bashkësia ekumenike e Taizé-së. Lajmin e dha eprori i bashkësisë, fr. Alois, duke folur të shtunën në meditimin e mbrëmjes, para të rinjve të mbledhur nga 28 dhjetori deri më 1 janar në Bazile. Ndër ta, edhe shqiptarë nga diaspora, Shqipëria, Kosova e Mali i Zi.

 “Vitin e kaluar – tha fr. Alois, duke iu referuar 2016-ës – ishim në Veri të Evropës, në Rigë. Vitin e ardhshëm do të shkojmë në Jug, në një qytet ku nuk ka pasur kurrë takime evropiane. Në gadishullin iberik, jemi pritur disa herë me ngrohtësi në Barcelonë e, edhe në Lisbonë e në Valencia. Vitin e ardhshëm, nga 28 dhjetor 2018 deri më 1 janar 2019, ju ftoj të takohemi në qytetin e Madridit”.

Takimi i sivjetëm i Taizé-së, në Bazile të Zvicrës

Dhjetëra mijëra të rinj u mblodhën këtë vit në qytetin e Bazilesë, në Zvicër, për një etapë të re të “Shtegtimit të besimit mbi tokë”, filluar nga frère Roger, themeluesi i bashkësisë së Taizé-së, në fund të viteve ’70. Takimi i ardhshëm i Madridit do të jetë etapa përfundimtare e vitit 2018, që parashikohet plot lutje e dialog. “Do t’i lutemi Shpirtit Shenjt – u kërkoi të rinjve fr. Alois – të përgatitemi për t’u bërë me jetët tona, dëshmitarë të pajtimit e të paqes”.

Takimet e tjera gjatë vitit 2018

Për shqiptarët, janë të njohura edhe takimet e Taizé-së gjatë vitit. Fr. Alois vuri në dukje dy prej tyre: në muajin korrik, një fundjave miqësie ndërmjet të rinjve të krishterë e myslimanë dhe në muajin gusht, një javë reflektimi propozuar të rinjve e të rriturve nga mosha 18 deri në 35 vjeç. Në program, edhe takimi i të rinjve aziatikë, që do të mbahet nga 8 deri më 12 gusht, në qytetin e Hong Kongut. Po ashtu, takimi në Lviv të Ukrainës, ku, nga 28 prilli deri më 1 maj, priten 2.800 të rinj. Së fundi, nga 25 deri më 28 tetor, bashkësia ekumenike e Taizé-së do të organizojë një takim me të rinjtë evropianë në Grac të Austrisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.