2018-01-01 12:26:00

Papa Françesku: t’i shërbesh jetës njerëzore, do të thotë t’i shërbesh Zotit


“Nëna e ruajtë këtë vit e sjelltë paqen e Birit të saj ndër zemra e në  botë”. Me këtë lutje e përfundoi Papa Françesku homelinë e Ditës së parë të Vitit të Ri në Shën Pjetër, duke kremtuar Meshën kushtuar Marisë, Nënë e Zotit. Pas kremtimit, me fjalë të improvizuara, u kërkoi të pranishëmve të përsërisin me zë të lartë: “Shenjtja Mari, Nëna e Tënzot”, “Shenjtja Mari, Nëna e Tënzot”, “Shenjtja Mari, Nëna e Tënzot”. Edhe ne, të krishterët për udhë, në fillim të vitit - shpjegoi - e ndjejmë  nevojën të fillojmë nga qendra, t’i lëmë pas shpine barrët e rënda të së kaluarës e të rifillojmë duke u nisur nga ajo që  vlen me të vërtertë. E ja, para nesh kemi pikënisjen: Nënën e Zotit. Sepse Maria është pikërisht ashtu, siç na do Zoti e siç dëshiron Kisha  e Tij: Nënë e ëmbël, e përvuajtur, e varfër në sende, por e pasur në dashuri, e lirë nga çdo mëkat, e bërë një me Jezusin, që e ruan Zotin në zemër e njeriun në jetë. Për t’u rinisur, të shikojmë Nënën. Në zemrën e saj rreh zemra e Kishës - kështu u shpreh Papa, për të treguar më pas me fjalë të thjeshta, mënyrën për t’i përngjarë Marisë: “Ta kalojmë çdo ditë një çast heshtjeje me Zotin, do të thotë ta ruajmë shpirtin tonë; të ruajmë lirinë tonë nga banalitetet, që të gërryejnë shpirtin, nga shurdhimet prej publicitetit, nga përroi i fjalëve të kota, nga thashethemnaja e papërmbajtur, nga potera boshe, që vret jetën”.

“Festa e sotme - nënvizoi Papa - na kujton se për të shkuar përpara, duhet të kthehemi përmbrapa: duhet të rinisemi nga Shpella e Betlehemit, nga Nëna, që mban në krahë Zotin”. Sipas Papës, devocioni ndaj Marisë  është kërkesë e jetës së krishterë. Duke shikuar Nënën, inkurajohemi t’i lëmë mënjanë shumë gjëra fare të kota e të rigjejmë çka vlen vërtet, dhuratat e Marisë, dhuratat e çdo nëne, të çdo gruaje. E ndërsa njeriu shpesh abstragon, pohon e imponon ide, gruaja, nëna, di të ruajë, të lidhë në zemër, të japë jetë. Sepse feja nuk mund të reduktohet vetëm në ide, as në doktrinë. Kemi nevojë të gjithë për një zemër nëne, që di të ruajë dhembshurinë e Zotit e të dëgjojë rrahjet e zemrës së njeriut. E heshtja e saj na thotë se edhe ne, nëse duam të ruajmë, si Nëna e Zotit, kemi nevojë për heshtje”.

“Kemi nevojë - vijoi - të rrimë në heshtje, duke kundruar Shpellën e Betlehemit. Sepse para Shpellës rizbulojmë se Zoti na do, shijojmë kuptimin e vërtetë të jetës”. E duke kundruar në heshtje, e lëmë Jezusin t’i flasë zemrës sonë, që vogëlsia e tij të na bëjë të ulim kokën, që varfëria e Tij t’i trazojë salltanetet tona, që dhembshuria e tij ta bëjë të rrahë fort zemrën tonë të pandjeshme.

“Nënë e Zotit! – brohoriti Papa - Prej teje buron gëzimi, që na kujton se fituam mbi vetminë; e bukuria, që na bën të vetëdijshëm se jemi bij të dashur, se këtë bijësi nuk mund të na e heqë askush”. Kjo do të thotë të pasqyrohesh në Zotin e brishtë e fëmijë, në krahët e nënës e të shikosh se njerëzimi është i dashur e i shenjtë për Zotin. Prandaj t’i shërbesh jetës njerëzore, do të thotë t’i shërbesh Zotit e çdo jete, duke nisur nga jeta në bark të nënës, tek jeta e motuar, e vuajtur, e sëmurë, shqetësuese e madje, edhe pështirosëse. Jeta, gjithsesi qoftë, duhet pranuar, duhet dashuri, duhet ndihmuar - theksoi fort Papa në këtë Ditë, kushtuar Nënës së Nënave, Nënës së vetë Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.