2017-12-31 16:43:00

Papa në “Te Deum”: ta falënderojmë Zotin për vitin që përfundoi. Çdo e mirë vjen prej Tij.


Sonte, në orën 17.00, Papa kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, Mbrëmësoren e Lutjes të Solemnitetit të së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit. Pas liturgjisë, u ekspozua i Shenjtnueshmi Sakrament dhe u këndua himni i lashtë “Te Deum”, që përsëritet çdo 31 janar, në përfundim të vitit civil.

Në fund të kremtimit, Papa shkoi në Sheshin e Shën Pjetrit  dhe u ndalua një copë herë në lutje para Shpellës së Betlehemit, që këto ditë po vizitohet nga mijëra shtegtarë e banorë të Romës. Kujtojmë se kjo Shpellë sugjestive është dhuratë e Abacisë territoriale e Montevergine, ndërsa Bredhi, që lartohet pranë saj, e kryedioqezës polake e Elk. Bredhi dhe Shpella do të vijojnë të ndriçojnë Sheshin me dritën e tyre misterioze deri të dielë, 7 janar, ditë kur përkujtohet Pagëzimi i Zotit dhe përfundon - në liturgji – Koha e Krishtlindjes. Ndërsa sonte e ndjenë fort praninë e Papës.

Kur u përmbush koha, Zoti dërgoi Birin e vet

Por, të ndjekim homelinë e Françeskut, në këtë natë të ngarkuar me emocione.

“Kur u përmbush koha, Zoti dërgoi Birin e vet”(Gal 4,4). Me këto fjalë e nisi Papa homelinë e këtij kremtimi mbrëmësor, që merrte frymë në atmosferën e përmbushjes së kohës. Jo pse jemi në mbrëmjen e fundit të vitit diellor - kujtoi - por pse feja na bën të kundrojmë e të dëgjojmë se Jezu Krishti, Fjala e mishëruar, e përsosi kohën e botës e të historisë njerëzore.

Mirënjohje, e vetmja përgjigje njerëzore e denjë për dhuratën e pamasë të Zotit

“I lindur nga gruaja” (V.4). E para, që e provoi këtë ndjesi të përmbushjes,  dhuruar në praninë e Jezusit, ishte pikërisht “gruaja” nga e cila “lindi”. Nëna e Birit të mishëruar, Theotokos, Nëna e Zotit. Përmes saj gurroi përmbushja e kohës; përmes zemrës së saj të përvuajtur e plot me fe. Përmes korpit të saj krejtësisht të pushtuar nga Shpirti Shenjt - nënvizoi Françesku, dhe vijoi të kujtojë se prej saj Kisha trashëgoi e vijon ta trashëgojë këtë perceptim shpirtëror të përmbushjes, që ushqen ndjenjën e mirënjohjes, si e vetmja përgjigje njerëzore e denjë për dhuratën e pamasë të Zotit. Mirënjohje e zjarrtë - theksoi - që, duke u nisur nga kundrimi i këtij Fëmije, të mbështjellë në fasha e të vënë mbi grazhd, shtrihet mbi gjithçka, mbi të gjithë, mbi botën mbarë. Është “falënderim”, që pasqyron Hirin; nuk vjen nga ne, por nga Ai; nuk vjen nga unë, por nga Zoti e na pushton mua e ty e të gjithë.

Çdo e mirë është dhuratë e Zotit

Në këtë atmosferë - kujtoi Papa - krijuar nga Shpirti Shenjt, ne i lartojmë Zotit falënderimin tonë për vitin që shkon drejt fundit, duke pranuar se çdo e mirë është dhuratë e Tij.

Vjen edhe kjo kohë e vitit 2017, që Zoti na e pati dhuruar të plotë e të pacënuar, por që ne, njerëzit, e shpërdoruam dhe e plagosëm në një mori mënyrash, me gënjeshtra e padrejtësi. Luftërat janë shenja e dukshme e kësaj kryelartësie kriminale e absurde. Por edhe fyerjet e shumta,  të vogla e të mëdha, që i bëjmë jetës, së vërtetës, vëllazërisë, shkaktojnë një mori formash të zvetënimit njerëzor, shoqëror e  ambiental. Për gjithçka, duam e duhet ta marrim mbi vete përgjegjësinë, para Zotit, vëllezërve e krijimit.

Sonte sundon hiri i Jezusit e pasqyrimi i tij në Marinë

Por sonte - kujtoi - sundon hiri i Jezusit e pasqyrimi i tij në Marinë. E sundon, prandaj, edhe mirënjohja që, si Ipeshkëv i Romës, e ndjej në shpirt, duke menduar për njerëzit, që jetojnë me zemër të hapur në këtë qytet.

Duke i kujtuar njerëzit e dioqezës së tij, Papa u shprehu simpatinë dhe mirënjohjen të gjithë atyre, që kontribuojnë çdo ditë me gjeste të vogla, por konkrete, për të mbarën e Romës, që përpiqen ta kryejnë sa më mirë detyrën e tyre, që lëvizin në trafik me kujdes, respektojnë vendet publike, sinjalizojnë për gjërat, që nuk shkojnë si duhet, janë të vëmendshëm ndaj  njerëzve të motnuar e të mjeruar. Këto e mijëra sjellje të tilla shprehin konkretisht dashurinë për qytetin - shtoi - E këtë e bëjnë pa diskutime e pa publicitete, por me një stil edukate qytetare, të praktikuar në të përditshmen.

Njëlloj kam nderim të madh për prindërit, mësuesit dhe të gjithë edukatorët që, po me këtë stil, përpiqen t’i formojnë fëmijët e të rinjtë me ndenja qytetare, me etikën e përgjegjësisë, duke i edukuar ta ndjejnë veten pjesë, e cila duhet të kujdeset e të interesohet për realitetin, që e rrethon.

Këta njerëz, edhe pse nuk përmenden ndër lajme,  janë pjesa më e madhe e banorëve, që jetojnë në Romë. E ndërmjet tyre, jo pak kalojnë çaste të vështira ekonomike, e pra, nuk vajtojnë, as nuk e kanë shpirtin plot me mëri e mllefe, por përpiqen të bëjnë çdo ditë pjesën e tyre për t’i përmirësuar sadopak gjërat.

Së fundi, ftesa e Papës

Sot, nësa falënderojmë Zotin, ju ftoj t’u shprehni mirënjohjen edhe këtyre mjeshtrave të së mirës së përbashkët, që e duan qytetin e tyre jo me fjalë por me fakte.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.