2017-12-31 14:41:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: Ungjilli hap rrugë të reja për familjet, edhe ato të plagosurat


Të bien poshtë “përfytyrimet e rreme” të Zotit e të vetvetes, “të vihen në diskutim” siguritë e kësaj bote, mbi të cilat “pretendojmë” se mbështetemi e të “rilindim” në udhën e vërtetë njerëzore e kristiane, bazuar mbi vlerat e Ungjillit. Në ditën kur kremtohet solemniteti i Familjes Shenjte të Nazaretit, Papa Françesku, duke thënë Engjëllin e fundit të Tënzot për këtë vit, kujton arsyet për të cilat “Jezusi erdhi” ndërmjet nesh.

         “Nuk ka gjendje familjare, që përjashtohet nga kjo udhë e re rilindjeje dhe ringjalljeje. E sa herë që familjet, edhe ato të plagosurat e të shenjuarat nga brishtësia, dështimet e vështirësitë, kthehen në burimin e përvojës së krishterë, hapen rrugë të reja e mundësi të pamenduara”.

Prindërit janë rojtarë, jo pronarë të jetës së bijve

         Papa Françesku përmend ngjarjet e jetuara nga Maria, Jozefi e Jezusi, “ndërsa rriten së bashku si familje, në dashuri të ndërsjelltë e në besim në Zotin”. Pikërisht këtë besim shprehte edhe riti i paraqitjes së Jezusit në Tempullin e Jeruzalemit “për të dëshmuar se i biri i përkiste Zotit dhe se ata – shton Papa – janë rojtarët e jetës së tij dhe jo pronarët”.

         “Të gjithë prindërit janë rojtarë të jetës së bijve, jo pronarë, e duhet t’i ndihmojnë të rriten, të piqen. Ky gjest nënvizon faktin se vetëm Hyji është Zoti i historisë individuale dhe familjare; gjithçka na vjen prej Tij. Çdo familje është e thirrur ta njohë atë primat, duke i ruajtur dhe duke i edukuar fëmijët t’ia hapin zemrën Zotit, i cili është burimi i vetë jetës”. 

Rritje e harmonishme

         Duke u kthyer në Nazaret, me Marinë e Jozefin, vijon Papa, Jezusi rritet dhe forcohet, “plot me urtinë” e hirin e Tënzot. Për familjen, – reflekton Françesku - rritja e fëmijëve është gëzim i madh.

         “Ata janë të destinuar të zhvillohen e të forcohen, të fitojnë urti e ta pranojnë hirin e Tënzot, ashtu siç i ndodhi Jezusit. Ai është vërtet njëri prej nesh: Biri i Zotit bëhet fëmijë, pranon të rritet, të forcohet, të fitojë urti e hiri i Tënzot është mbi Të. Maria e Jozefi gëzohen kur shohin gjithë këtë në birin e tyre; e ky është misioni drejt të cilit orientohet familja: të krijojë kushtet e favorshme për rritjen e harmonishme e të plotë të fëmijëve, që të kalojnë një jetë të mirë, të denjë për Zotin e konstruktive për botën”.

Ditë falenderimi

         Ky pra, urimi i Papës për gjithë familjet. Atyre u drejtohet veçanërisht në përshëndetjet pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke dëshiruar ta kalojnë në “qetësi” fundin e vitit e duke i këshilluar ta falenderojnë Zotin “për vitin e kaluar e për çdo të mirë”, që u ka dhuruar gjatë tij.

         “Do të na bëjë mirë, secilit prej nesh, të marrim pak kohë për të menduar gjërat e bukura, që kam marrë dhuratë prej Zotit këtë vit e, për ta falenderuar. E nëse kemi pasur sprova, vështirësi, ta falenderojmë, sepse na ka ndihmuar t’i kapërcejmë ato çaste. Sot, është ditë falenderimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.