2017-12-29 16:24:00

Një ngjarje e jashtëzakonshme në Parlamentin shqiptar.


 Sot, 30 dhjetor 2017, në Parlamentin shqiptar ndodhi një ngjarje e pabesueshme…Nuk e kemi fjalën për ndonjë rrumujë të re, as për tymin që pushtoi këto ditë sallën, e as për ndeshjet, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra ndërmjet pushtetarëve e opozitës. Për atë, që u quajt “grusht shteti” e u shndërrua në shkelm shteti, këto ditë. Këto janë të zakonshme në parlamentin shqiptar. Ndërsa sot po ndodhte e jashtëzakonshmja. Deputetët panë, të mrekulluar, duke u ngjitur në tribunë, Pater Gjergj Fishtën. E dëgjuan kryetarin, që tha: “Pater Gjergj  Fishta, që ju e njihni të gjithë, ish-deputet i Parlamentit të parë shqiptar, kërkon t’i drejtohet zotërinjve deputetë. Fjalë, këto, që u pasuan nga një ilaritet i padëgjuar ndonjëherë. Rrahje të zjarrta duarsh nga opozita, e këmbësh, nga pala tjetër...

“Po a s’paska vdekur tash 77 vjet, a? – tha më në fund një deputet i partisë në pushtet, i çuditur pa masë që po i jepej fjala një të vdekuri - sado i famshëm që të ishte.

Është i vdekur - i gjallë - ndërhyu sakaq një deputet i opozitës - prandaj ka të drejtë të flasë shumë ma tepër se të gjallët e vdekun! Ilaritet. Pater Gjergji i dha fund kësaj situate, duke u ngjitur në tribunë. Dhjetra sy u ngulën mbi atë burrë me shtat lisi e me sytë e Prometeut në ballë, që lëshojshin shkëndija mbi turmën e mrekulluar nga kjo ngjarje e pangjarë. Aq sa ata, të cilët e patën zhvarrosur,  gjithnjë të pranishëm aty, në sallë, u penduan që e kishin lënë të dilte nga varri. Ndonëse u detyruan të heshtin. Atëherë Frati i madh mori fjalën e tha:

Thonë se shqyptarët i kan mênt mâje ksulës

Thonë t’huejt se shqyptarët i kan mêndt mâje ksulës, e duket se kan arsye; pse qe, bje fjala, e shuma nesh nder kafe, nder mejhane e festave nder shpija s’bân tjeter veçse tue pvetë palè si mas luftet do t’jesë pûna e Serbìs, e Malitzì, e Belgjit, e Rumenìs etj., e kerkujë s’i bjen nder mend me pvetë e me u interesue palè si do t’jesë pûna e Shqypnìs: mêndt mâje ksulës gjithmonë kërkojnë skâjet e shekullit e jo trollin e kufinin e vet. Kahë nuk jemi msue me mendue kurr per s’marit per Shqypnì, kshtû na duket çudë, e madjè, shumkush dron se shkon kryet me pasë per t’ja mbajtë kujdesin atdheut e Shqypnìs. Kjo punë nuk âsht e mirë, e prandej do t’mundohena me i qitë mêndt nên ksulë e, jo veç me pvetë se si do t’jesë puna e jonë mas lufte, por mâ teper edhè me diftue, permrênda caqeve t’arsyes, se si âsht dishiri i jonë qi t’jesë fati i Shqypnìs. E sa per vedi, na ktû sod duem me diftue se si e kuptojmë t’maren e t’miren e Shqypnìs e si e dishrojmë me e pa t’perparuem popullin shqyptár.

A asht e sigurtë në kête vend jeta, ndera, gjaja e shtetasve? – pyeti oratori – i ndjekun nga një heshtje e thellë….

Mâ s’parit, pra, - gjegji - na thomë se, per me u gjytetnue pernjimend Shqypnia, duhet njiherë qi ktû t’sugurohet jeta, ndera e gjâja e secillit, pse qellimi i jetës s’shoqnueshme nuk  âsht tjeter veçse pronimi i paqtë i ktyne trì t’mirave prej ânet t’nierit. S’dytit duhet qi populli shqyptàr t’ket nji lirì të plotë per me zhdrivillue permrênda rrethit t’nji ligjës s’arsyeshme fuqìt e veta mendore e fizike per dobì t’veten e t’shokve. S’tretit lypset qi t’gjith t’shestuemt e t’rregulluemt e jetës s’shoqnueshme n’Shqypnì t’jet themêlue mî  parime  t’gjytetnìs prendimore, por me kusht qi, der kû ta bajë natyra e ktyne parsimeve, kta t’qiten n’pûnë mas gjendjes e etnologjís s’vendit e mas ndjesive t’popullit, në mnyrë qi t’ruhet paqa e zêmrave edhè karakteri komtar i shqyptarve. Kto jânë, mas mendimit tonë, kushtet mâ t’para qi lypsen per me bâ qi komi shqyptàr t’jet pernjimênd kom e kom i gjytetnuem.

Por nuk âsht mjaft me e ndertue nji shoqnì njerzsh n’kom e n’popull t’gjytetnuem…

duhet me pasë kujdès edhè qi mos shkatrrohet; prandej duhet me u mundue me i mbajtë sa mâ larg prej komit elementat e rrezikshem, t’cillët ase e brejn permrênda si mikrob e para kohet e mbysin, ase prej s’perjashtimit si parazitë, ia pijnë gjakun e e lânë m’kâmë e per hall. Kshtu, pra, per me e ruejt komin shqyptàr sidomos prej mikrobesh të permrêndshem, duhet qi Shqypnìn ta ket nên mbroje nji shtet i madh i gjytetnuem, i cilli t’ket interes me e rujtë e me e mbajtë mkâmë komin shqyptàr; e per me bâ qi komit shqyptàr mos t’i rrshasë gjâja, - qi âsht gjaku i çdo komi – nder duer t’hueja, duhet me i dhânë mnyrën e  me i nîmue qi t’zhdrivillohet m’vedi e me fuqì t’veta, si me thânë, me e lanë shtet m’vedi.

Por, me gjith parsim patriotik e nacjonalistik, Shqypnì s’kishte me pasë, po kje se vêhen batakçít me e sundue.

(Fjala “batakçi” shkaktoi një ilaritet tjetër në sallë, nga ana e të dyja palëve.  Po Frati vijoi  të flasë e në sallë ra përsëri heshtja)…

Popujt, thotë nji shkrimtar, mâ para falin nji mizuer qi t’ket ndrydhë nên kâmë, se nji batakçí qi t’i kêt rrêjtë. Sod t’gjith po njifen si parja e kuqe: ra lufta e ja qiti shekullit zhyblat per fushë. E kshtû i dyti shêj i fortë neper t’cillin kena me mûjtë me njoftë mas paqet ase edhè para paqet se verevertè don ndokush qi t’mahet Shqypnia, âsht t’emnumemt e njerzve zyrtarë qi do t’sundojnë Shqypnìn. Me e lshue Shqypnìn nder duer t’batakçíve, âsht njapernja si me ja vjerrë ujkut mushknít m’qafë, me uzdajë se po t’i çon te shpija: ujku i han mushknít, sidomos per n’kjoftë msue ndojherë me hanger m’to.

Kshtû e vetem kshtû mendojmë na se mkâmet e mbahet Shqypnia e komi shqyptàr….

Deputeteve të të dy krahëve u mbetën ndër dhambë fjalët Euralius, Bashkimi Evropian, Opdat i SHBA-ve e emna të tjerë shtetesh të mëdhenj, të cilët i përsërisnin vazhdimisht e prej të cilëve prisnin se do të bëhej Shqipëria. E disa dreshtën se Frati po ua rikujtonte atë epitetin e famshëm, që ia kishte ngjitë dikur Evropës. Që do të mjaftonte për t’i dhënë fund çdo  utopie se mund të sigurohet jeta, nderi e gjëja e liria e plotë e popullit shqiptar për të zhvilluar fuqitë e veta mendore e fizike në dobì të vet e të shokëve, nëse mbështetet vetëm mbi fuqitë e huaja e vë batakçít me e sundue!

Gjergj Fishta (Fishtë, 23 ottobre 1871 – Shkodër, 30 dicembre 1940) i shkroi këto rreshta në vitin 1917 – plot njëqind vjet ma parë. Teksti, i rikrijuar, u mor në përmbledhjen “Përshndritje, Publicitikë“, Lajmëtari, 2000, Shqypnija, fq 57-59








All the contents on this site are copyrighted ©.