2017-12-28 16:00:00

Papa, të rinjve të Tezesë: “Rrini gjithnjë të bashkuar në burimet e gëzimit”.


Të rinjtë e Tezesë po mblidhen përsëri. Priten me dhjetra mijëra për këtë etapë të re të “shtegtimit të besimit mbi tokë”, nisur nga vëllai Roger, në fund të viteve ’70. 

 E do të jenë bashkë, duke nisur që sot e deri më 1 janar 2018, për t’u lutur, në fund të vitit, sipas traditës. Sivjet në Bazile, udhëkryq ndërmjet Zvicrës, Francës e Gjermanisë. Është takimi i 40-të i tyre, i organizuar dhe i frymëzuar nga Bashkësia e Tezesë, me temë: “Së bashku, në burimet e gëzimit”, që do t’u prijë reflektimeve të tyre.

Me këtë rast Papa u dërgon një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, përmes të cilit i siguron për afërsinë e  tij shpirtërore. U kujton edhe se, siç ka shkruar në nxitjen Apostolike Evangelii gaudium “Gëzimi i Ungjillit e mbush zemrën dhe jetën e atyre, që takojnë Jezusin. Ata, që e lënë t’i shpëtojë, çlirohen nga mëkati, nga trishtimi, nga boshllëku shpirtëror”.

Kështu shkruan Papa në mesazh, duke shprehur, më pas, gëzimin e tij  për këtë takim, në të cilin të rinjtë do ta thellojnë mesazhin e Jezusit, burim gëzimi për të gjithë ata, të cilët ia hapin zemrat. E i falënderon që iu përgjigjen thirrjes së Zotit, i cili i bashkon të gjithë në gëzimin e në dashurinë e vet:

“Papa ju inkurajon të rrini gjithnjë të bashkuar në Zotin, përmes lutjes dhe dëgjimit të Fjalës së Tij, që ai t’ju ndihmojë t’i shkrini talentet tuaja, për të zhvilluar kulturën e mëshirës, bazuar mbi rizbulimin e takimit me të tjerët; një kulturë në të cilën askush nuk e shikon tjetrin me indiferencë, e as nuk e kthen kokën mënjanë, për të mos e parë mjerimin e vëllezërve”.

Gjatë këtij viti – vijon të kujtojë Papa në mesazhin drejtuar të rinjve të Bashkësisë së Tezesë - u përkujtua 500-vjetori i Reformës. E në vijim  i lutet Shpirtit Shenjt t’i ndihmojë të rinjtë protestantë, katolikë e ortodoksë  të gëzohen e të pasurohen me larminë e dhuratave, që i bëhen të gjithë dishepujve të Krishtit, për t’u treguar të gjithëve se gëzimi i Ungjillit na bashkon përtej plagëve të përçarjeve tona.

“Ju inkurajoj të mos kini frikë të ecni në udhët e vëllazërisë, që takimi juaj në Bazilé ta bëjë të dukshëm bashkimin gazmor, i cili buron nga gurra e zemrës së rrëmbushur me dashurinë e Zotit”.

Në përfundim të mesazhit, Papa ia beson të rinjtë e Tezesë Zotit, që të mund të këndojnë, me Virgjërën Mari, mrekullitë e dashurisë së Tij dhe u jep bekimin apostolik pjesëmarrësve në këtë takim, vëllezërve të Tezesë dhe të gjithë atyre që i mikpresim në Zvicër, në Francë e në Gjermani.








All the contents on this site are copyrighted ©.