2017-12-27 13:55:00

Papa në audiencën e përgjithshme: mos ta çorodisim Krishtlindjen, Jezusi është dhurata e vërtetë.


Jezusi është dhurata e Zotit për ne e, nëse e pranojmë, edhe ne mund të jemi dhuratë e Zotit për të tjerët”. Para së gjithash, për ata që nuk e kanë provuar kurrë ç’do të thotë “vëmendje e dhembshuri”, “të vegjlit e të përjashtuarit”. Kështu Papa Françesku u ndalua, në audiencën e përgjithshme mbajtur në Sallën e Palit VI, tek kuptimi i Lindjes së Zotit, që këto ditë po e jetojmë në “fe e ndër kremtime”. 

Sa njerëz në jetën e tyre nuk e kanë provuar kurrë një ledhatim, një vëmendje dashamire, një gjest dhembshurie.… Krishtlindja na nxit ta bëjmë këtë.

Vijon çoroditja e Krishtlindjes

Në kohët tona, posaçërisht në Evropë - kujtoi Papa - vërejmë një lloj “çoroditjeje” të Krishtlindjes:

Në emër të respektit të rremë për ata, të cilët nuk janë të krishterë, që shpesh fsheh dëshirën për ta mënjanuar fenë, zhduket nga festa çdo cekje e Lindjes së Jezusit. Por në të vërtetë kjo ngjarje e madhe është e vetmja Krishtlindje e vërtetë! Pa Jezusin, nuk ka Krishtlindje. Është festë tjetër, por sigurisht, Krishtlindje nuk është. E nëse në qendër është Ai, atëherë  edhe gjithçka tjetër: dritat, tingujt, traditat e ndryshme vendase, duke përfshirë edhe ushqimet karakteristike, gjithçka synon të krijojë atmosferën e festës. Por me Jezusin në qendër! Po ta heqim Atë, drita shuhet dhe gjithçka bëhet sa për sy e faqe, sa për t’u dukur se po kremtojmë.

Drita zbulon veprime e mendime, që e vrasin ndërgjegjen. Përmes kumtimit të Kishës, ashtu si barinjtë e Ungjillit - kujtoi Papa - udhiqemi ta “kërkojmë e ta gjejmë” dritën e vërtetë, “atë të Jezusit që, i bërë njeri, si ne “na dëftohet në mënyrë mahnitëse”: lind nga një “vashë e varfër, e panjohur”, që e nxjerr në dritë në një stallë, e ndihmuar vetëm nga fati i saj.

Bota nuk kujtohet fare për ngjarjen e madhe, por në qiell engjëjt, që e dinë çka po ndodh, galdojnë! E pikërisht kështu paraqitet edhe sot para nesh i Biri i Zotit: si dhuratë e Hyjit për njerëzimin e zhytyr në terrin e topitjen e gjumit. E edhe sot shikojmë se shpesh njerëzve ua kënda më shumë errësirën, nga që e dinë se drita do t’ua zbulonte të gjitha veprimet e mendimet, gjë që do t’i bënte të skuqeshin ose t’i brente ndërgjegjja. Kështu, parapëlqehet më shumë terri, sesa drita, sepse në terr mund t’i vijosh qetësisht zakonet e gabuara. Duke shpresuar - gabimisht edhe kjo - se nuk të shikon askush!

Dhurata e vërtetë është Jezusi

Papa i nxiti të gjithë të pyesin ç’do të thotë “ta pranosh dhuratën e Zotit, që është Jezusi”. E kjo domethënë të bëhesh çdo ditë “dhuratë pa shpërblim, për të gjithë ata, që takojmë në udhën tonë”: ja pra pse - shpjegoi Françesku -  “për Krishtlindje shkëmbehen dhurata”. Po dhurara e vërtetë për ne “është Jezusi” e kështu edhe ne dëshirojmë të jemi dhuratë për të tjerët”. Dhuratat – vërejti - janë shenjë e sjelljes që na mëson Jezusi që, “i dërguar nga Ati”, është dhuratë për ne e ne, dhuratë për të tjerët.

Duke kujtuar mësimet e Shën Palit Apostull, Papa vuri në dukje se hiri i Hyjit “u duk” në Jezusin, fytyrë e Zotit, të cilin Virgjëra Mari e nxori në dritë si çdo fëmijë të kësaj bote, por që nuk erdhi “nga toka”, erdhi “nga Qielli”. Në këtë mënyrë Zoti, “na hapi rrugën e jetës së re, që nuk bazohet mbi egoizmin, por mbi dashurinë”: lindja e Jezusit - shtoi - është gjest i dashurisë më të madhe të Atit tonë qiellor”.

Zoti impenjon të përjashtuarit e shoqërisë

Në Krishtlindje mund të shikojmë sesi historia njerëzore, ajo që vihet në lëvizje nga të pushtetshmit e kësaj bote, vizitohet nga historia e Zotit. E Zoti impenjon ata që, të flakur në skajet e skutat e shoqërisë, janë të parët që do ta marrin dhuratën e Tij, domethënë - dhuratën  - shëlbimin  e sjellë nga Jezusi.  

Miqësi, që vijon në kohë

“Drita e madhe” - vijoi Papa - iu duk barinjve të Betlehemit. Ata ishin të shtypur, të parë me sy të keq, të përbuzur, e pikërisht ata e morën të parët lajmin e mirë. Me këta  njerëz, këta të vegjël, të përbuzur, Jezusi lidh një miqësi, që vijon në kohë, duke ushqyer shpresën për një ardhmëri më të mirë. Këtyre njerëzve, të përfaqësuar nga barinjtë e Betlhemnit, iu duk një dritë e madhe, që u priu drejt e tek Jezusi. Me ta, në çdo kohë, Zoti dëshiron të ndërtojë një botë të re, një botë, në të cilën nuk ka njerëz të flakur, të keqtrajtuar, të varfër.

Thirrja e Papës, atëhere, ishte t’i hapim “mendje e zemra”, për ta pranuar këtë hir, sepse Jezusi “vjen për të lindur përsëri në jetën e secilit prej nesh” e, përmes nesh, vijon të jetë “dhuratë e shëlbimit”: “Zoti nuk do me fjalë - përfundoi në përshëndetjet përfundimtare Papa, por me vepra: dashuria e Tij e pushton ligështinë tonë e humanitetin tonë, për të na lartuar në dinjitetin  bijnor, që e patëm humbur”.

Shfaqja i artistëve të cirkut

Në mbyllje, një shfaqje e këndshme, dhënë nga artistët e Cirkut të Artë, të Liana Orfeit, që Papa i duartrokiti dhe i falënderoi:

“Arti i cirkut, ashtu si çdo gjë e bukur, na afron gjithnjë tek Zoti! Edhe ju, me punën tuaj, me artin tuaj, afrojini njerëzit tek Zoti. Ju falënderoj për këtë që bëni!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.