2017-12-26 11:15:00

Të krishterët në Azi persekutohen, sepse Krishtlindja i tremb kundërshtarët


Në festën e Shën Shtjefnit, martirit të parë, atë Bernardo Cervellera, drejtor i AziaNews, agjenci e Pime-s, flet për situatën në bashkësitë e Kinës, të Indisë, Indonezisë, Jemenit e Pakistanit, që nuk mund ta kremtojnë Krishlindjen. Por në Indonezi nuk mungojnë dhe myslimanët, që i mbrojnë të krishterët, të cilët s’ka gjë që t’i ndalojë në fenë e tyre

“Sivjet persekutimi i të krishterëve vërehet në përpjekjen për ta zhdukur fare Krishtlindjen, e cila shikohet si festë e rrezikshme, ngaqë u kujton të gjithëve se dinjiteti i njeriut është Zoti, jo pushteti”. Atë Bernardo Cervellera, puliez, misionar i Institutit Papnor për misionet e jashtme dhe drejtor i Agjencisë AziaNews, shkroi, në editorian e tij të fundit: “Krishtlindja e refuzimi”, se refuzimi  bën pjesë në misterin e Krishtlindjes, në jetën e të krishterëve. Ata vijojnë të mos pranohen, si Maria e Jozefi në Betlehem dhe lindin si Jezusi, në mes të kafshëve të stallës, të ndjekur nga persekutimi i Herodit, që vijon masakrën e fëmijëve të pafajshëm e përndjekjen e njerëzve, të cilët detyrohen të ikin, si Familja Shenjte, në Egjipt.  E si Jezusi, emigranti i parë “i krishterë”, që ikën nga masakra, refugjatët e Mosulit, një herë të përndjekur, pastaj të dëbuar nga shtëpitë e tyre, jetojnë që prej tri vjetësh nën strehë rasti, duke shpresuar të rikthehen në qytetin e tyre të çliruar tashmë nga Isis".

Nga vrojtorja e tij mbi botën misionare, atë Cervellera na e tregon këtë mister të Krishtlindjes, të jetuar në atmosferën e refuzimit, të persekutimit, të dhunës, të heshtjes së detyruar, që pësojnë bashkësitë e vogla e të Azisë.

Atë Cervellera, Papa Françesku pohon shpesh se sot, në Kishë, ka më shumë martirë, sesa kishte në shekujt e parë: ç’mund të na thoni për 2017-tën?

Bah, ishte vit shumë i vështirë edhe ky: unë shikoj Azinë, posaçërisht me AziaNews, e me persekutimet në Siri, në Paksitan e tani, me persekutimin, që po shtohet edhe në Indi. Pastaj, persekutimi në Kinë, në Korenë e Veriut... Është me të vërtetë një situatë shumë, shumë e nderë. Kudo vërehen sinjale të mospranimit të të krishterëve e edhe të mospranimit të vetë fesë së krishterë. Njëkohësisht, në shumë vende, të krishterët vuajnë, çka vuan e gjithë popullsia: në Irak ose në Siri praktikisht të krishterët u dëbuan, ashtu si edhe pjesa tjetër e popullsisë.

 Në festën e Krishtlindjes dhe të Shën Shtjefnit, i pari martir i krishterë, cilat bashkësi të krishtera dëshironi të kujtoni?

Çka të prek më shumë këtë vit, është fakti se persekutimi synon ta zhdukë Krishtlindjen, parë si festë e rrezikshme, ngaqë të kujton se dinjiteti i njeriut është Zoti, jo pushteti. E, prej këndej, për shembull, disa bashkësi të krishtera në Kinë, nuk mund ta kremtojnë Krishtlindjen, madje të rinjtë universitarë nuk lejohen as ta shqiptojnë fjalën Krishtlindje, aq më pak, të takohen me shokët për ta kremtuar së bashku... Në Indi ndalohen grupet korale, me akuzën se duan t’i kthejnë njerëzit në fenë e krishterë... E ka, pastaj, edhe situata të shumta në Indonezi, Jemen, Pakistan, ku bashkësitë nuk e kanë aspak të lehtë ta shprehin lirisht fenë e tyre. Por duhet të kujtoj edhe se, për shembull, kur është fjala për kremtimin e Krishtlindjes, në Indonezi ka shumë myslimanë që janë gati për ta mbrojtur bashkësinë e krishterë e edhe paqen gjatë kremtimeve. E kjo të ngjall shpresë.

A mendoni se pas kësaj urrejtjeje kundër të krishterëve, fshihet e njëjta arsye, për të cilën urrehej Jezusi? Sepse sillte dritën e Zotit mbi botën, së cilës, në të vërtetë, i pëlqen më shumë t’i mbulojë me errësirë veprat e veta, siç na e kujtoi Papa Françesku më 26 dhjetorin e vitit të kaluar?

Ah, kjo duket qartë! Mendoj se arsyeja për të cilën persekutohen të krishterët, është sepse pohojnë  dinjitetin e njeriut e, prej këndej, edhe drejtësinë për njeriun, e pohojnë edhe se njeriu nuk i përket pushtetit, nuk trembet prej tij. Tashmë në botë është një pushtet politik, pushtet ekonomik... Që i përdor njerëzit si sende: i përdor e i flak me lehtësinë më të madhe. Por, pse ndodh kjo? Sepse, pikërisht, bëhen përpjekje për ta zhdukur Zotin nga jeta. E kur zhduket Zoti, zhduket edhe njeriu. Të krishterët, që me Krishtlindjen sjellin Zotin në jetën njerëzore, në korpin njerëzor, janë të parët që vihen në shënjestër.

Papa, në prillin e kaluar e pikërisht në Mbrëmësoren e lutjes kushtuar martirëve të rinj, pati thënë se martirët nuk janë heronj,  sepse mbështeten nga hiri i Zotit, jo nga guximi i tyre....

Duhet të them se pikërisht ky hir i Zotit, që u jep guxim të krishterëve - e përsëris, kam parasysh kryesisht Azinë, por mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Afrikën, për të krishterët egjiptianë, ose për shumë  pjesë të Amerikës – është gjëja më e pabesueshme, është forca me të cilën gjithçka rritet, prandaj nuk mund t’i ndalojë asgjë e askush. Mund t’u vënë gurë mbi varr, por jo ta ndalojnë fenë e tyre, që shton radhët me kthime të reja, rrit jetë të re, e vetë martirët, vetë të krishterët e persekutuar, nuk ka gjë që i ndalon. Sepse kanë në shpirt një forcë, që është shumë më e madhe sesa ata vetë!








All the contents on this site are copyrighted ©.