2017-12-26 14:08:00

Françesku: Mesazhi i Jezusit është shqetësues, na kërkon të bëjmë kthesë


Shën Shtjefni u mbyt sepse, ashtu si Jezusi, i ngacmonte ndërgjegjet. Papa nënvizoi nevojën e kthesës dhe kujtoi se Jezusi është Ai, që i hap zemrat për dashurinë e Zotit e ndërmjet nesh, duke shmangur çdo konflikt.

Lindja e Jezusit dhe lindja për qiell e martirit të parë, Shën Shtjefnit, janë dy ngjarje të lidhura ngushtësisht ndërmjet tyre. Françesku, në reflektimin  e tij gjatë Engjëllit të Tënzot, shpjegoi se Shën Shtjefni besonte në praninë e re të Zotit ndërmjet njerëzve, “e dinte se tempulli i vërtetë i Zotit  është tashmë Jezusi, Fjala e amshuar, që erdhi të banojë ndër ne”. Por dëshmia e tij shqetësonte e, prej këndej, u akuzua se donte ta përmbyste pushtetin,  duke kumtuar se Jezusi do ta rrënonte Tempullin e Jeruzalemit e do t’i ndryshonte rrënjësisht doket e trashëguara nga Mosiu.

Në të vërtetë mesazhi i Jezusit është shqetësues e na trazon, sepse sfidon pushtetin fetar sipas botës e ngacmon ndërgjegjet. Pas ardhjes së Tij, ndjehet nevoja për kthesë, për ta ndryshuar mënyrën e të menduarit: nuk mund të mendojmë më si më parë, duhet të ndryshojmë, të kthehemi në rrugën e Zotit.

Fjalët e fundit të Shtjefnit: “O Jezus Zot, merre shpirtin tim!” dhe “O Zot, mos ua merr për mëkat!”, më parë të pamendueshme, u bënë të mundura - tha Papa - vetëm pse i Biri i Zotit erdhi mbi tokë dhe vdiq e u ngjall për ne.

Krishti i ngjallur - vijoi - është tashmë ndërmjetësuesi i vetëm mes Zotit dhe njerëzve, e jo vetëm në orën e mortjes sonë, por në çdo çast të jetës e, pa Të, nuk mund të bëjmë asgjë. Atij, prandaj, duhet t’i lypim ndihmë, që jeta jonë të jetë me të vërtetë jetë e mirë, sipas Ungjillit. E Papa pohoi edhe:

Jezusi është ndërmjetësi ynë e na pajton jo vetëm me Atin, por edhe ndërmjet nesh. Ai është burim dashurie, që na i hap zemrat për t’i dashur edhe vëllezërit, për t’u dashur njëri me tjetrin, duke zgjidhur çdo konflikt e çdo mllef. E dimë se inatet janë të këqija, se bëjnë keq, shumë keq! E Jezusi e shmang gjithë këtë e na bën të duhemi. Kjo është mrekullia e Jezusit. T’i kërkojmë Krishtit, lindur për ne, të na ndihmojë ta pervetësojmë këtë sjellje të dyfishtë të besimit në Atin e në dashurinë për të afërmin; është sjellje që e shndërron jetën, e bën më të bukur, më të frytshme.

E në ditën, kur kujtohen të krishterët e persekutuar, Papa iu lut Marisë, Mbretëreshës së Martirëve, të na ndihmojë të bëhemi dëshmitarë guximtarë të Krishtit, “të gatshëm për ta paguar me gjithë vetveten çmimin e lartë të besnikërisë ndaj Ungjillit”.

Gjatë përshndetjeve, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku u uroi përsëri të gjithëve paqe e gëzim e, më pas, kujtoi:

“Këto ditë mora shumë mesazhe urimi. Me që nuk mund t’i përgjigjem secilit, u shpreh të gjithëve falënderimin tim më të ndjerë, posaçërisht për dhuratën e lutjes. Ju falënderoj nga zemra! Zoti jua shpërbleftë me bujarinë e Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.