2017-12-25 10:29:00

Papa Natën e Krishtlindjes: në Fëmijën përqafojmë kë nuk ka vend


Fati i Zotit - fat i njerëzve të kohëve tona, i të dëbuarve nga toka e tyre, i shtegtarëve ngarkuar me shpresa, që gjejnë një derë të hapur në Natën e Betlehemit, kur lind përsëri për ta Shëlbuesi, Krishti Zot” (Lk 2,10-11)

Ky, gëzimi i kësaj nate, që na përket të gjithëve, që duhet ta kremtojmë e ta kumtojmë. Gëzimi me të cilin Zoti,  në mëshirën e tij të pambaruar, përqafoi paganë, mëkatarë e të huaj e na nxit edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë. Ky, edhe thelbi i homelisë së Papës, në Meshën e Natës së Krishtlindjes.

“Maria nxori në dritë djalin e saj të parëlindur, e mbështolli në fasha dhe e vuri mbi grazhd, sepse për ta nuk pati vend në bujtinë” (Lk 2,7). Me këtë shprehje të thjeshtë por të qartë, Luka na çon në zemër të kësaj nate shenjte: Maria e nxori në dritë, Maria na dha Dritën. Një rrëfim i thjeshtë  për të na kredhur në ngjarjen, që e ndryshoi përgjithmonë historinë tonë. Gjithçka në këtë Natë bëhet burim shprese - tha Papa - e në vijim rikujtoi ngjarjen e Betlehemit; dekretin e perandorit, udhëtimin e Marisë e të Jozefit, ngarkuar me shpresë, e njëkohësisht, me paqartësi e rreziqe, tipike për njeriun, që e pret një tokë ku për të nuk ka vend.

“E pikërisht në këtë realitetet ishte sfida - pohoi Papa - Maria na dhuroi Emmanuelin. Birit të Zotit iu desh të lindë në një stallë, sepse të tijtë s’patën vend për të. E atje, në mes të territ të një qyteti, pa skutë as skaj për të huajin që vjen nga larg, në mes të errësirës së një qyteti në lëvizje të plotë, që në këto çaste dukej sikur dëshironte të ndërtonte, duke ia kthyer shpinën tjetrit, pikërisht atje ndizet shkëndija revolucionare e dashurisë së Zotit”.

Në Betlehem u hap një derë për ata, që e kishin humbur tokën, atdheun, ëndrrat; deri për ata, që qenë dorëzuar përballë asfiksisë të jetës së mbyllur.

Në hapat e Marisë e të Jozefit fshihen të gjitha hapat, shikojmë gjurmët e familjeve të tëra, që sot detyrohen të nisen. Të ndahen nga të dashurit, të dëbuar nga toka e tyre. Për disa, kjo nisje është e ngarkuar me shpresë, me ardhmëri; për të tjerë, ka një emër të vetëm: mbijetesë! Shpëtim nga herodët e turnit që, për të imponuar pushtetin e për të shtuar pasuritë, derdhin, pa pikën e problemit, gjak të pafajshëm.

“Maria e Jozefi, për të cilët nuk pati vend, e përqafuan të parët Jezusin, që vjen të na japë të gjithëve dokumentin e qytetarisë - theksoi Françesku - Atë, që në varfërinë e vogëlsinë e tij dëshmon se pushteti dhe liria e vërtetë mbrojnë brishtësinë e më të ligshtit”.

Këtë natë, Ai që nuk pati vend për të lindur, u kumtohet atyre që nuk kanë vend në sofrat e në udhët e qytetit. Barinjve, të parëve. Burra e gra, të cilëve u duhej ndenjur larg. Me frikë. Njerëz që konsideroheshin paganë ndërmjet besimtarëve, mëkatarë ndërmjet të drejtëve, të huaj ndërmjet vendasve. E pikërisht atyre, paganëve, mëkatarëve e të huajve - engjëlli u thotë:

“Mos kini frikë: ja, po ju kumtoj një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju Shëlbuesi, Krishti Zot” (Lk 2,10-11)

Ky është gëzimi i kësaj nate, që na përket të gjithëve, që duhet ta kremtojmë e ta kumtojmë. Gëzimi me të cilin Zoti, në mëshirën e tij të pambaruar, përqafoi paganë, mëkatarë e të huaj e na nxit edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë.

Feja e kësaj nate na shtyn ta shikojmë shpesh Zotin në të gjitha situatat, në të cilat kujtojmë se mungon. Ai është pranë nesh në autobus, troket në portat tona. E kjo fe na shtyn t’i hapim rrugën një imagjinate të re, të provojmë pa frikë forma të reja marrëdhëniesh, në të cilat askush nuk duhet ta ndjejë se nuk ka vend mbi këtë tokë. Krishtlindja është kohë për ta shndërruar forcën e frikës, në forcë bamirësie. Bamirësi, që nuk mësohet me padrejtësinë, si të ishte gjë e natyrshme, por ka guximin, ndërmjet  tensioneve e konflikteve, të bëhet “shtëpia e bukës”, toka e mikpritjes. Na e kujtonte këtë Shën Gjon Pali II: “Mos kini frikë! Hapjani, në dy kanatat, portat Krishtit”(Homelia e Meshës së fillimit të Papnisë, 22 tetor 1978).

Në Foshnjën e Betlehemit Zoti vjen të na takojë, për të na bërë protagonistë të jetës, që na rrethon. Ofrohet, që ta marrim ndër krahë, ta ngremë lart e ta përqafojmë. Që në Të të mos kemi frikë të marrim në krahë, të ngremë lart e të rrokim të eturin, të huajin, të zhveshurin, të sëmurin, të burgosurin (krh Mat 25,35-36). “Mos kini frikë!” Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit!”. Në këtë Foshnjë, Zoti na fton të  bëhemi mbartës të shpresës, roje  për të gjithë ata, të cilët u shembën nën barrën e dëshpërimit, që lind kur gjen para vetes shumë porta të mbyllura. Në këtë Fëmijë, Zoti na bën protagonistë të mikpritjes së Tij.

“Të prekur thellë në shpirt nga dhurata, Ferishtja e njomë e Betlehemit, t’i lutemi që vaji i Tij të na zgjojë nga indiferenca, t’i hapë sytë tanë për të parë atë që vuan. Dashuria e Tij na zgjoftë nga gjumi e na bëftë  të ndjehemi të ftuar për t’i pranuar të gjithë ata, që vijnë në qytetet tona, në historitë tona, në jetët tona. Dashuria e tij revolucionare na bindtë të ndjehemi të ftuar për të marrë mbi vete shpresat e dhembshurinë e njerëzve tanë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.