2017-12-25 17:35:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Natës së Shenjtë të Krishtlindjes


Liturgjia e Fjalës së Zotit e Natës së Shenjtë të Krishtlindjes: shenja e Zotit është foshnja, që na thërret të jemi solidarë me fëmijët, sidomos ata që vuajnë. Sonte të krishterët kremtojnë me gëzim Lindjen e Shëlbuesit. Në këtë natë të shenjtë kundrojmë mbi tokë misteret e Krishtit Zot. 

Ai është Shpëtimtar, drita erdhi në botë (Ungjilli) për t’ia ndriçuar rrugën popullit që ecte në errësirë e banonte në një tokë të zhytur në natë (1 lexim). Në këtë natë shfaqet hiri i Zotit që bartë shpëtimin për të gjithë njerëzit: Krishtin. Ai erdhi në botë për të dhuruar vetveten për ne, për të na nxjerr e shpëtuar nga çdo e keqe, madje edhe nga vdekja. Të gjithë ata që i përkasin Atij, ata që prej Tij janë shëlbuar duhet të angazhohen e të jenë të zellshëm në vepra të mira, të drejta e dashurie. Sot paqja e vërtetë zbriti tek ne nga qielli

Sot liturgjia e fjalës na tregon mrekullitë që Zoti ka bërë për njerëzimin, duke dërguar Birin e tij Jezus. Të pranojmë se të gjithë jemi mëkatarë dhe të falim njëri-tjetrin nga thellësia e zemrës.

                             Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Is 9, 1-3.5-6
Hebrenjtë nën sundimin e asirjanëve luteshin kështu: “Ardhtë një njeri për ne në portat e qytetit!”. Është thirrja e një populli të shtypur dhe të braktisur që pret njeriun e shpëtimit. Dhe njeriu i shumëpritur vjen mes nesh, por është një foshnje, i varfër dhe i padobishëm. Në vend që të na ndihmojë Ai kërkon ndihmë prej nesh. Është një foshnje që na kërkon që të angazhohemi me të gjitha forcat tona për paqen dhe dinjitetin e njeriut.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e theve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, guzhmën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes. E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do t’ ketë mbarim mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij, që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në të drejtë e në drejtësi. Qysh tash e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive. Fjala e Zotit.

Psalmi 95

Sot për ne lindi Shëlbuesi, Krishti Zot
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij.

Shpalleni si një ditë për ditë 
shpëtimin e tij,
kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!

Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!
Le të buçasë deti me ç’ka në të,
le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve.

Leximi i dytë Tit 2, 11-14
Në këtë natë nuk festojmë vetëm lindjen mallëngjyese të një foshnjeje ardhur në botë në varfërinë e një stalle. Shën Pali pohon se kjo foshnje është Hyji që është bërë i dukshëm, është shpëtimi ynë. Ai është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar me Atin. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit
Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira. Fjala e Zotit.

Aleluja, aleluja.
Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot! Aleluja, aleluja.

Ungjilli Lk 2, 1-14
Në një fshat të panjohur të Judesë, të shtypur nga romanët, lind një foshnje, shenjë e shpresës. Lindja e Jezusit nuk merret vesh nga të mëdhenjtë e kësaj bote, por njihet nga një grup barinjsh si Mesia i shumëpritur. Lindja e tij është realizimi i profecive të vjetra, dhe shpallja e një ngjarjeje të ardhme: Pashkët e çlirimit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës. Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë. Të gjithë shkonin të regjistrohen, secili në qytetin e vet. Kështu edhe Jozefi, mbasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem, për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë. 
Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. Ajo lindi djalin e vet – të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta. Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet. Engjëlli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit u shndriti e ata u trembën për së tepërmi. Engjëlli u tha: “Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytet të Davidit, ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot! Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnje të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd.”
Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” Fjala e Zotit.









All the contents on this site are copyrighted ©.