2017-12-25 15:38:00

Gëzimi i zemrës së njeriut që shkon drejt Krishtlindjes!


Gëzimi i zemrës së njeriut që shkon drejt Krishtlindjes! Në ritmet e jetës së përditshme, shpesh të ethshme, kujtojmë se gëzimi i vërtetë i njeriut është takimi me Zotin: këtë Kisha, në udhën tonë drejti Betlehemit të Krishtit.

Pra, nuk duhet të joshemi nga xixëllimat e vitrinave, që në këtë kohë mbushen përplot me sende kalimtare, por duhet të hyjmë në vetë zemrën e Krishtlindjes. E mos të harrojmë se gëzim i vërtetë është ai, që shndërrohet në solidaritet, për dashuri të Zotit, e jo ai, që kërkohet në parajsat artificiale të kënaqësisë, ku Zoti nuk ekziston.

Ka njerëz që gabojnë rrugë, në sa kremtohet Krishtlindja. E rrugën e gabon kush nuk e ndjen gëzimin që sjell Foshnja Hyjnore, por ndjek kënaqësitë e premtuara nga ‘parajsa’ të tjera, si droga, për shembull. Lumturi artificiale, shumë afër dëshpërimit, tepër larg paqes së shpirtit.

Kjo paqe buron vetëm nga vetëdija se Zoti është afër, se po vjen një Fëmijë, që rri gjithnjë pranë njeriut, në gaze e helme, duke na kujtuar ftesën aktuale të Shën Palit Apostull: “Gëzohuni përherë në Zotin!” dhe shpresën, me të cilën të krishterët e presin ardhjen e dytë të Krishtit, pikërisht sepse e njohin të parën.

Misteri i Betlehemit na dëfton Hyjin-me–ne, Hyjin që është pranë nesh, e jo thjeshtë në kuptimin hapësinor e as kohor; ai është pranë nesh sepse është bërë një me natyrën tonë njerëzore.

Gëzimi i krishterë buron nga kjo siguri: Hyji është pranë, është me mua, është me ne, në gëzim e në dhimbje, në shëndet e në sëmundje, si mik e dhëndër besnik. E ky gëzim mbetet edhe në orën e provës, edhe në çastet e vuajtjes, e nuk mbetet në sipërfaqe, por hyn në thellësi të shpirtit të njeriut që i beson Zotit, që e lëshon veten plotësisht në dorë të Tij.

Por, duke kujtuar gëzimin e krishterë, shumëkush i bën vetes pyetjen: “A mund ta ndjejmë akoma këtë gëzim në kohët tona?”. Përgjigjen na e japin, me jetën e tyre, burrat e gratë e moshave e të gjendjeve të ndryshme shoqërore, të cilët ia kushtojnë, gjithë gëzim, vetveten të tjerëve, deri në fund të fundit.

E ne, në mënyrë të veçantë, na e jep e Shën Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiu, dëshmitare e paharrueshme e gëzimit të vërtetë ungjillor. Ajo jetoi ditë për ditë pranë mjerimit, zvetënimit njerëzor, vdekjes. Shpirti i saj njohu edhe provën e natës së errët të fesë, e megjithatë u dhuroi të gjithëve buzëqeshjen e Hyjit.

Shën Nënë Tereza ishte dëshmitare e gjallë e faktit se gëzimi hyn në zemrën e njeriut, që ia kushton vetveten shërbimit të të vegjëlve e të të varfërve. Ndërsa kush e bën lumturinë idhull, gabon rrugë dhe e ka vërtet vështirë ta gjejë gëzimin për të cilin flet Jezusi.

Ky, për fat të keq, është propozimi i kulturave, që e venë lumturinë vetjake në vend të Zotit, mendësi që gjen shprehjen e vet në kërkimin e kënaqësinë me çdo kusht, në përhapjen e drogave, si arratisje nga realiteti e kërkimi i parajsave artificiale, të cilat lënë pas vetëm zhgënjim.

Edhe për Krishtlindje mund të merret gabimisht si festë e vërtetë, ajo që nuk ia hap zemrën Krishtit. Virgjëra Mari na ndihmoftë të kremtojmë gëzimin e vërtetë të Betlehemit, të takojmë Foshnjën, që lindi për ne, për shëlbimin e lumturinë e të gjithë njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.