2017-12-24 01:00:00

Për shumë vjet Krishtlindjen, miq të Vatican News e shqiptarë të nderuar


Për shumë Mot Lindjen e Krishtit, miq, dëgjues e besimtarë të Vatican News – të Radio Vatikanit dhe shqiptarë të nderuar, kudo që ndodheni. Bekimi, drita, dashuria e paqja e Foshnjës Hyjnore të Betlehemit, që lind në këtë Natë të Madhe e të Shenjtë, që Mishërohet përjetësisht me ne njerëzit, qofshin përherë në zemrat e në jetën tuaj.

Në këtë Natë të Shenjtë të Lindjes së Zotit tonë Jezu Krisht, le të galdojmë e të gëzohemi të gjithë, pa dallim, sepse ka ardhur ndër ne Shpëtimtari Hyjnor, sepse Zoti ka vënë banesën e vet Hyjnore në historinë tonë njerëzore. Mëshira e pakufishme e Zotit ka marrë fytyrën njerëzore të një Foshnjeje, për të na u dhuruar të gjithëve. Prandaj:

Le të galdojë shenjti, pse në Jezusin Foshnje ka shpërblimin;
Le të gëzojë mëkatari, pse në Jezusin Foshnje i dhurohet falja e pajtimi;
Le të marrë guxim pagani, i patënzoni, pse në Jezusin Foshnje është i thirrur të marrë pjesë në Jetë.

Në këtë Natë të Shenjtë të Krishtlindjes, duke u ndalur para grazhdit të shpellës së Betlehemit, para Jezusit Foshnje, le të orvatemi ta njohim e pranojmë në këtë Mister të madh Hyjnor, dhuratën e Zotit Atë, i cili na siguron se:

Nata e Krishtlindjes do të thotë Zoti është përherë me ne dhe ndër ne;

Edhe pse në botë ende shumë njerëz nuk e njohin, Zoti është!

Edhe pse shumë njerëz ende nuk e pranojnë në zemra të tyre, Zoti vjen!

Edhe pse në shumë zemra njerëzish e vise të botës, vend për Të nuk ka nga egoizmi dhe urrejtja, Zoti lind.

Po, Zoti lind për të na shpëtuar nga e keqja, nga urrejtja, nga errësira e nga vdekja.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.