2017-12-24 02:00:00

Për shumë mot Krishtlindjen!


Për shumë mot Krishtlindjen! Erdhi përsëri Krishtlindja e ne shkëmbejmë me kënaqësi urimet, duke kërkuar, në thellësi të zemrave, mendime e ndjenja të reja, të pathëna, e së fundi, edhe fjalët e nevojshme për t’u bërë të tjerëve një urim të vërtetë e të mirë.

Ne, që po ju bëjmë këtë urim për Krishtlindje, kaluam edhe një vit në shërbim të Papës e të Kishës, duke ndjekur hap pas hapi ngjarje të zakonshme e të jashtëzakonshme. Ndërmjet këtyre të fundit, kujtojmë posaçërisht udhëtimet e Papës në vende e kontinente të ndryshme të botës. Në këto raste shumë njerëz, e jo vetëm besimtarë tradicionalë - e pranuan me zemër të hapur mesazhin e Papës, e kuptuan, e vlerësuan. Është shenjë ngushëllimi e shprese.

Dëshirojmë që këtë Lajm të mirë të Hyjit me ne, i cili na jepet pikërisht për Krishtlindjen, ta përcjellim deri në zemër të jetës e të botës. Zoti është me ne, Zoti është pranë, Zoti është një prej nesh!

Nëpër botë këto ditë fluturojnë sms, maila, kartolinat me “Season’s Greetings”, shpesh, urime ndërkombëtare të zbrazëta, pa asnjë ngjyrim, që nuk prekin asnjë zemër e që kthehen gjithnjë e më shumë në një rit të akullt, në një zakon të varfër e fare pa kuptim. Fluturojnë urimet e zbrazëta, por ndërmjet tyre është edhe urimi i vërtetë, i madh: urimi për ta parë Foshnjën Hyjnore – Jezusin - ndër krahët e Nënës së tij e në jetën tonë. Urimi për të kuptuar me shpirt se Ati Hyjnor na do e dëshiron të na shpëtojë!

Ky është një vit me hije e terrina. Terrorit e shqetësimit për dhunën, që ushtrohet nga të katër anët, i shtohen edhe pasojat e trishta të krizës ekonomike, të cilën akoma nuk kemi arritur ta kuptojmë mirë e as t’ia masim pasojat mbi fatet e botës, e edhe të jetës sonë të përditshme.

Prandaj kemi nevojë për yjet nëpër natë. Krishtlindja na flet për një Yll, që mund të na e ndriçojë udhën. Ungjilli thotë se ylli i Mbretërve Dijetarë u zhduk për disa çaste, por më pas u riduk e i mbushi zemrat e tyre me gëzim, ndërsa shkonin të takoheshin me Foshnjën e me Nënën.

Urime, pra, për shumë vjet Krishtlindjen e Vitin e Ri, i cili tashmë duket në horizont. Urime për ty, mik e dëgjues i dashur, i njohur a i panjohur, kudo që je. Për ty e për familjarët e tu, për të dashurit e tu, për miq e dashamirë.

Sido që të jesh - plot jetë a plot trishtim - i ndritur nga forca e fesë a i trazuar nga paqartësitë, vështirësitë e dhimbjet, urojmë t’ia vesh veshin Lajmit të bukur që të vjen. Zoti dëshiron të jetë pranë teje! E në se do t’ia dëgjosh zërin e Tij, që të flet, mos harro t’ia tregosh ç’të tha edhe njeriut që ke pranë, për ta ndarë kështu këtë gëzim të patregueshëm me të gjithë ata njerëz, që kanë nevojë të gëzohen në këtë Natë të madhe të Lindjes së Jezu Krishtit! Gëzuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.