2017-12-23 15:42:00

Salvatore Quasimodo: Kundrim


Kundroj Betlemin përplot me shtatore,

barijtë, që ngasin ngutshëm

kah shpella, në zemër të natës.

Flaka e pishës, në terr duket si yll,

u ndriçon rrugën mbretënve

me petka të gjata,

në kërkim të Mbretit të gjithësisë.

Paqë në  Shpellë e paqë  në heshtjen

e njerëzve prej druni; ja, pleqtë e fshatit,

e ylli që i shndrit,

ja dhe gomari i kaltërt...

Ka paqë në zemrën e Krishtit në amshim!

Po nuk ka paqë në zemër të njeriut.

Zjarmi, lufta e morti

kalojnë përsëri këndej pari

edhe me Krishtin!

Edhe pse shkuen njëzet shekuj,

vëllai vijon ta urrejë

e të vritet me vëllain.

Thue e ndëgjon ndokush vajin e foshnjes

që ka për të vdekë, mandej, përmbi kryq

ndërmjet dy hajnash?

Përkthim i lirshëm i njërës nga poezitë më të famshme  të Quasimodos, i cili kundron  Shpellën e Betlehemit, duke gjetur në të paqe e heshtje, në ndryshim nga atmosfera, që mbush plot jetën e njerëzve.  








All the contents on this site are copyrighted ©.