2017-12-21 09:00:00

Patriarku kaldeas, Sako: lutje e solidaritet për Jeruzalemin


Ftesë për të krishterët irakianë që të tregojnë solidaritet me popullin palestinez, i cili “vuan që prej 70 vjetësh nga padrejtësitë dhe çrrënjosja. Lutje që “Jeruzalemi të mbetet gjithnjë qytet i shenjtë për të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë”. Këto janë fjalët e Patriarkut kaldeas të Bagdadit, Louis Raphael Sako, në mesazhin e Krishtlindjes, botuar nga agjencia katolike AsiaNews.

Të mbrohen të drejtat e të krishterëve

         Primati i Kishës irakiane i drejtohet vendit, që vetëm pak ditë më parë u lirua nga dara e Isisit, duke kërkuar restaurimin e shtëpive dhe rindërtimin e qyteteve të shkatërruara nga i ashtuquajturi “Shtet Islamik”. Patriarku Sako kujton diskriminimin e të krishterëve, kërcënimet dhe abuzimet e xhihadistëve, që sollën ikjen e tyre nga shtëpitë e nga tokat e të parëve në Pllajën e Ninives. Një eksod, që e përgjysmoi bashkësinë e krishterë, e cila, para vitit 2003, numëronte 1,5 milion vetë. Patriarku kërkon kthimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të krishterëve, kultura, qytetërimi dhe trashëgimia e të cilëve duhet njohur si pjesë themelore e historisë së Irakut.

Rëndësia e bashkimit dhe e dialogut

         Më rastin e Krishtlindjes, imzot Sako u kërkon besimtarëve të jenë të bashkuar për të marrë pjesë në procesin politik vendor e për të kontribuar kështu në arritjen e sigurisë dhe të qëndrueshmërisë. Dialogu për zgjidhjen paqësore të problemeve, sidomos përsa i përket Kurdistanit, por edhe për zhdukjen e korrupsionit, për promovimin e reformave e për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme, është udha e vetme, që uron Patriarku kaldeas, i cili ka shpresë se të krishterët do ta ndërtojnë të ardhmen në vend, së bashku me vëllezërit myslimanë.

Të kapërcehen fundamentalizmat e të promovohet drejtësia dhe liria

         Së fundi, imzot Sako i flet Kishës irakiane, e cila duhet të dijë të interpretojë shenjat e kohës e t’u përgjigjet thirrjeve të vazhdueshme të Papës Françesku për përshpirtëri, larg pushtetit e parasë. “E përsa u përket myslimanëve – përfundon ai – nevojitet dialog i sinqertë… përtej fundamentalizmave, që të arrihet paqja dhe siguria e të promovohen vlerat e tolerancës, të drejtësisë, të lirisë dhe të dinjitetit për të gjithë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.