2017-12-21 14:19:00

Papa, Kuries: bashkim e shërbim kundër kancerit të komploteve


Krishtlindja, “festa e fesë”, na haptë sytë “që ta braktisim teprinë, gënjeshtrën, dinakërinë dhe mashtrimin e, të shohim thelbësoren, të vërtetën, të mirën, autentiken”. Ky, urimi i Papës Françeku gjatë takimit të Krishtlindjes me Kurien Romake, në Sallën Klementine në Vatikan. Reflektimet e Atit të Shenjtë mbi parimet bazë të Kuries lidhen edhe me reformën aktuale të saj. Papa kujton shprehjen simpatike të imzot Frédéric-François-Xavier De Mérode:

         “Të bësh reforma në Romë është njëlloj si të pastrosh Sfinksin e Egjiptit me një furçë dhëmbësh. Kjo vë në pah sa durim, përkushtim dhe delikatesë nevojiten për ta arritur atë objektiv, pasi Kuria është institucion i lashtë, i ndërlikuar, i nderuar, përbërë nga njerëz, që vijnë prej kulturave, gjuhëve dhe mendësive të ndryshme e që, nga pikpamja strukturore, gjithmonë, lidhet me funksionin parësor të Ipeshkvit të Romës në Kishë”.

Logjika e komplotit është kancer

         Kuria, pohon Papa, është projektuar “ad extra” (për jashtë) përderisa të jetë e lidhur me ministerin pjetrin, në shërbim të Fjalës dhe të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ungjillit. Nëse do të ishte e mbyllur në vetvete, “do t’i referohej vetëm vetes, duke u dënuar me vetëshkatërrim”. Duke kërkuar një përkushtim si ai i diakonit në Kishë, Papa Françesku kujton tekstin e lashtë të “Didascalia Apostolorum” (Mësimi i 12 apostujve dhe i shenjtorëve dishepuj të Krishtit), në të cilën pohohet: “diakoni të jetë veshi dhe goja e ipeshkvit, zemra dhe shpirti i tij”:

         “Kjo është shumë e rëndësishme për ta kapërcyer atë logjikë të çekuilibruar e të degjeneruar të komploteve, ose të rretheve të vogla, të cilat, në të vërtetë, - pavarësisht nga justifikimet e ndjetet e mira të tyre - janë kancer, që sjell në vetëreferim, i cili depërton edhe në thelbin e organizmave kishtare e, në veçanti, në njerëzit që punojnë për to. Kur ndodh kjo humbet gëzimi i Ungjillit, gëzimi i komunikimit të Krishtit, bashkimi me Të; humbet bujaria e shugurimit tonë”.

Rreziku i tradhtarëve “të besueshëm”

Kësaj, shpjegon Papa, i shtohet edhe një rrezik tjetër:

         “…ai i tradhtarëve ‘të besuar’, ose i përfituesve nga amësia e Kishës, pra, i njerëzve që zgjidhen me kujdes për t’i dhënë hov më të madh reformës, por – pa e kuptuar rëndësinë e përgjegjësisë së tyre – korruptohen nga ambiciet e kotësitë e, kur largohen me delikatesë, vetëdeklarohen martirë të sistemit, të ‘Papës së painformuar’, të ‘brezit të vjetër’…, në vend që të thonë ‘mea culpa’ (faji im)”.

Shumica punon me impenjim të lavdërueshëm

Krah këtyre njerëzve, shton Papa Françesku, ka edhe të tjerë, të cilëve u jepet kohë për t’u rikthyer në udhën e drejtë e, të tjerë akoma, që janë shumica, të cilët punojnë me impenjim të lavdërueshëm, me besnikëri, me kompetencë, me përkushtim e, edhe me shumë shenjtëri. Dikasteret e Kuries Romake të jenë antena të ndjeshme për të transmetuar si duhet vullnetin e Papës e të eprorëve, por edhe për të marrë e kuptuar çështjet, pyetjet, kërkesat, britmat, gëzimet dhe lotët e Kishave e të botës, që t’ia përçojnë ipeshkvit të Romës.

Kuria dhe marrëdhëniet me kombet e me Kishat vendore

         Rol themelor në marrëdhëniet me kombet ka diplomacia e Vatikanit, e cila duhet të gjejë vazhdimisht udhë të reja për ta bërë Selinë e Shenjtë ndërtuese të urave të paqes e të dialogut. Duke u çliruar nga interesat materiale të kësaj bote, nënvizon Papa. E këtu, hyjnë edhe marrëdhëniet me Kishat e vendeve të ndryshme, të cilat duhen bazuar mbi “bashkëpunimin, besimin e kurrë mbi superioritetin apo kundërvënien”. Papa vë në dukje rëndësinë e vizitave “ad Limina Apostolorum” të ipeshkvijve në Vatikan si edhe pasurimin shpirtëror e liturgjik, që sjellin Kishat Lindore.

Kuria dhe të rinjtë

         Në tetor, kujton më pas Ati i Shenjtë, do të mbahet Asambleja e përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve, me temë “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”.

         “Kuria, ipeshkvijtë dhe krejt Kisha t’u kushtojnë vëmendje të veçantë të rinjve, që nuk do të thotë të shihen vetëm ata, por edhe të artikulohet tema për një sërë marrëdhëniesh dhe urgjencash: për marrëdhëniet ndërmjet brezave, për familjen, për fusha të ndryshme të baritorisë, për jetën shoqërore”, kërkon Papa.

Dialogu ekumenik dhe ndërfetar

         Duke folur për dialogun ekumenik, Ati i Shenjtë kujton se bashkimi realizohet përudhë. “Të gjitha kundërshtitë teologjike dhe ekleziologjike, që akoma i ndajnë të krishterët – pohon – do të kapërcehen vetëm gjatë udhës së përbashkët”. E përsa i përket dialogut me fetë e tjera, Papa nënvizon se e vetmja alternativë ndaj qytetërimit të takimit është qytetërimi i ndeshjes.

Krishtlindja, festë e fesë

         Pjesa e fundit e fjalimit të Papës Françesku për Kurien Romake i kushtohet Krishtlindjes:

         “Krishtlindja na kujton se feja, që nuk na shkakton krizë, është fe në krizë; feja, që nuk na zhvillon, është fe, që duhet të zhvillohet; feja, që nuk shtron pyetje, është fe për të cilën duhet të ngremë pikëpyetje; feja, që nuk na frymëzon, është fe, që ka nevojë për frymëzim; feja, që nuk na pështjellon, është fe që duhet të shkundet nga amullia. Në të vërtetë, një fe vetëm intelektuale apo e vakët është vetëm një propozim feje, që mund të realizohet kur të arrijë të na pështjellojë zemrën, shpirtin, krejt qenien, kur i japim mundësi Zotit të lindë e të rilindë në grazhdin e zemrës, kur e lejojmë yllin e Betlehemit të na udhëheqë në vendin ku mbështetet Biri i Zotit, jo ndërmjet mbretërve dhe luksit, por ndërmjet të varfërve dhe të përvuajturve”.

Dhurata e Papës për Kurien

         Pikërisht për ta festuar si duhet Krishtlindjen, Papa Françesku u dhuron të gjithë atyre, që punojnë në Kurien Romake, variantin italian të veprës së atë Beato Maria Eugenio i Krishtit Fëmijë, me titull “Je veux voir Dieu” (Dua të shoh Zotin). “Është vepër teologjie shpirtërore – përfundon Ati i Shenjtë – do të na bëjë mirë të gjithëve”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.