2017-12-21 15:30:00

Françesku: “Puna është fjala e parë që ju them, për t’ju falënderuar"


 U prit me ngrohtësi të madhe Papa, e edhe ai u përgjigj me të njëjtën ngrohtësi, duke përqafuar e duke bekuar turmën në të dy anët e korridorit në mes të sallës. Foto, selfie, posaçërisht me të rinjtë e shumtë, e edhe dhurata,  si kësula e bardhë, që i dhuroi një vogëlushe e që Papa e këmbeu menjëherë, due i dhuruar të tijën. Shumë edhe të moshuarit, të cilëve Françesku u kushtoi disa  minuta të çmuara e, pastaj, nga një bekim e një puthje atërore, fëmijëve të sëmurë. Këshu  nisi takimi i Papës Françesku me punonjësit e Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, të cilët sot i priti në Sallën e Palit VI për urimet e Krishtlindjes. 

Papa Françesku e filloi fjalimin, duke i falënderuar punonjësit e Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, të cilët sot i priti në Sallën e Palit VI për urimet e Krishtlindjes. 

Nga brohoritjet e  pritjes u kalua në heshtje të thellë,  që në fjalën e parë: “Falënderoj secilin prej jush për punën që bën këtu e që e bën të funksionojë këtë tren, i cili duket shumë i rëndë - tha -  puna e Kishës – vijoi - nuk do të mund të shkonte mirë, nuk do të mund të bëhej, pa ju, që jeni hallkë e çmuar e këtij zinxhiri”.

Katër, fjalët për t’u reflektuar. E para, puna

“Puna është fjala e parë, që po ju kujtoj, jo për t’ju thënë të punoni më shumë, por për t’ju thënë faleminderit.  E - shtoi - nuk dua punë të zezë në Vatikan. As nuk dua që ndokush të lihet pa punë. “Është problem ndërgjegjeje për mua, ndryshe nuk mund ta predikojmë doktrinën e Kishës. Unë kështu mendoj! Ju më ndihmoni, më ndihmoni ta zgjidh këtë problem”.

Duke vënë në dukje punën, parë si rrugë shenjtërimi e lumturie - Françesku vijoi me të njëjtin sinqeritet: “Të jesh pa punë është mallkim, sepse puna na jep dinjitet, sigurimi i punës na jep dinjitet. Ky është problem botëror, që varet nga një mori faktorësh – por që mbetet i dorës së parë, sepse pa punë nuk mund ta çosh bukën në shtëpi. Ta çosh nga puna, jo nga Karitasi!

Fjala tjetër, e dalë nga zemra e Françeskut, familja

Kur marr vesh se një familje juaja është në krizë e se fëmijët janë të pushtuar nga ankthi, vuaj. Më lini t’ju ndihmoj. Ju lutem, kërkoni ndihmë me kohë. Ruajeni familjen. Unë e di se disa nga ju janë të ndarë, e vuaj me ju. Ju jap një këshillë: mos u grindni kurrë në sy të fëmijëve! E ruajeni familjen. Është stolia më e madhe, sepse e krijuar nga vetë Zoti! Plot fryte, shkoni përpara!

Thashetheme

Fjala e tretë - thashetheme - fjalë që përdoret shpesh e bëhet shkak i shumë vuajtjeve. Një përgojues - vijoi - është si terrorist: hedh bombën, që shpërthen e i dëmton të tjerët. Mos bëni terrorizëm, ju lutem! Kur t’ju vijë fjala për të dalë, kafshoni gjuhën! Kështu porositi Papa, porosi me vlerë për të gjithë, duke e përfunduar bisedën e  tij të lirë me ndihmësit e vet, me fjalën “Falje”.

Falje!

Kjo, fjala e katërt, që duhet përsëritur vazhdimisht. Edhe ne klerikët gabojmë, bëjmë mëkate, padrejtësi, i trajtojmë pakëz keq njerëzit, nganjëherë jemi me nerva të ngritura. Prandaj ju kërkoj falje!

Gëzuar Krishtlindjen!

Së fundi, duke i ftuar të gjithë të mos kenë frikë e të lypin falje, Papa uroi të mbushen me gëzimin e festës, me atë gëzim, që buron nga shpirti, pa harruar edhe të sëmurët e njerëzit, që e presin ngarkuar me ankth Festën e madhe.

Porosia e fundit: Rujeni punën, familjen, gjuhën! E fjala e fundit: Faleminderit! Gëzuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.