2017-12-20 13:16:00

Papa në audiencën e përgjithshme: shkoni në Meshë me kohë, jo me vonesë


Duhet ta pranojmë se jemi mëkatarë, që të mund të rilindim me Zotin, në jetën e re. Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa Françesku u ndalua sot paradite tek ritet e hyrjes në Meshë. Vijoi, kështu, reflektimin kushtuar kremtimit Eukaristik, nisur me audiencën e 11 nëntorit të kaluar.

Mos shkoni në Meshë me vonesë

Dy, pjesët themelore të Meshës: Liturgjia e Fjalës dhe Liturgjia Eukaristike, një korp i vetëm, që nuk mund të ndahet. Ka rëndësi të njihen shenjat, çastet e ndryshme - nënvizoi Françesku - për ta jetuar plotësisht Meshën e për ta shijuar në gjithë bukurinë e saj. Pika e parë janë Ritet e Hyrjes, qëllimi i të cilave është që besimtarët të formojnë një bashkësi të vetme: Puna e pendimit, Lutja e hyrjes, që larton drejt qiellit ndjetet e popujve, Kyrie eleison, Kënga e Lavdit, grishja për lutje, lutja e bashkësisë… E sidomos - nënvizoi Papa - ka rëndësi të mos arrish me vonesë në Meshë.

Mesha nis me shenjën e kryqit e me ritet e hyrjes, sepse me ta fillojmë ta adhurojmë Zotin si bashkësi. Ka rëndësi, prandaj, ta llogarisim mirë kohën, për të mos arritur me vonesë, por pak më herët, që të mund ta përgatisim zemrën për këtë rit, për këtë kremtim të bashkësisë.

Të mësohen fëmijët ta bëjnë mirë shenjën e Kryqit

Mesha është “takim dashurie me Krishtin” e kjo dëshmohet edhe nga meshtari, që hyn, puth e kemon altarin, simbol i Krishtit. Menjëherë pas, ftesa për të shikuar Krishtin, që nuk është larg nga bashkësia. E akoma, shenja e Kryqit, që na kujton Trininë Shenjte e pohon se lutja liturgjike është takim me Zotin në Jezu Krishtin, që “për ne u mishërua, vdiq mbi kryq e u ngjall plot me lavdi”. Por ndodh nganjëherë, që fëmijët bëjnë një shenjë,  e cila nuk është shenja e kryqit.

Ju lutem: nëna, baballarë, gjyshër e gjyshe, mësojini fëmijët, që në fillim, që kur janë fare të vegjël, ta bëjnë mirë shenjën e Kryqit. E shpjegojuani se të bësh këtë shenjë, është si të kesh mbrojtjen e kryqit të Krishtit. E Mesha nis pikërisht me shenjën e kryqit.

Simfoni me tonalitete të ndryshme

Feja e përbashkët dhe dëshira e anasjelltë për të ndenjur me Zotin, shprehet edhe me përshëndetjen liturgjike si dhe me shprehjen “Zoti qoftë me ju!”. Jemi duke hyrë - shpjegoi Papa - në një simfoni, në të cilën tingëllojë tonalitete dhe zëra të ndryshme, duke përfshirë edhe kohët e heshtjes, “për të krijuar të njëjtat emocione në zemrat e të gjithë pjesëmarrësve, domethënë, për t’u frymëzuar nga i njëjti Shpirt e për të njëjtin qëllim”.

Të pranosh se je mëkatar, për t’u ngjallur me Zotin në një jetë të re

Me rëndësi të dorës së parë është, pastaj, Puna e Pendimit, përmes së cilës besimtarëve u drejtohet ftesa për t’i pranuar mëkatet e tyre. Ftesë, kjo, që  tregon se jemi mëkatarë para Zotit e para vëllezërve, si publikani i tempullit - pohoi Papa.

Nëse Eukaristia e bën vërtet të pranishëm misterin e Pashkëve, domethënë kalimin e Jezusit nga vdekja në jetë, atëhere gjëja e parë që duhet të bëjmë, është të pranojmë cilat janë situatat, që na çojnë në vdekje, për të mundur pastaj, edhe të ringjallemi me Krishtin, në një jetë të re.

Përshëndetjet dhe Cirku i Kubës

Së fundi, gjatë përshëndetjeve, Papa uroi që Nata e Këshndellave ta mbushë me dritë, me gëzim e paqe jetën e secilit e, posaçërisht, të njerëzve të vetmuar, të vuajtur e të pastrehë.  E, në përfundim, falënderoi artistët e cirkut të Kubës, që dhanë një shfaqje të vogël me valle shumëngjyrëshe, duke e bërë edhe më të hareshme atmosferën gazmore të kësaj audience të përgjithshme, pak para Krishtlindjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.