2017-12-18 17:50:00

Dita e Emigrantit. Papa: duke takuar të huajt, takojmë Jezusin


“Çdo i huaj, që troket në portën tonë, është rast takimi me Jezu Krishtin!”. Ky, tweet-i i botuar sot nga Papa Françesku në faqen e tij  Twitter@Pontifex, lexuar nga 43 milionë ndjekës, në 9 gjuhë.

Më 14 janar, Mesha e Papës në Shën Pjetër me emigrantët

Fjalët e Papës nënvizojnë rëndësinë e Ditës së sotme Ndërkombëtare të Emigrantit, organizuar nga Kombet e Bashkuara. Françesku merret, kështu, edhe një herë, me temën tejet të dashur për të, të cilën do ta nënvizojë me forcë në Meshën e 14 janarit të ardhshëm, në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e Ditës Botërore të Emigrantit e të Refugjatit. Dita,  që kremtohet nga Kisha katolike, përqendrohet tek tema: “Të mirëpriten, të promovohen e të integrohen emigrantë e refugjatët”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së: të luftohet armiqësia kundër emigrantëve

Për këtë Ditë u botua edhe mesazhi i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që vë theksin  mbi kontributin   dhënë 280 milionë njerëzve, që jetojnë sot në kushtet e emigrantit, Guterres  denoncon  armiqësinë në rritje, në shumë vise të botës, kundër emigrantëve dhe kërkon solidaritet për ata, që ikin nga toka e tyre për shkak të luftës e të varfërisë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së u kërkon, në përfundim, liderëve botërorë, të punojnë për vazhdimësinë e Marrëveshjeve Global Compact për emigrantët e t’u sigurohet respektimi i të drejtave njerëzore.

Angazhimi i misionareve skalabriniane për emigrantët

Nga ana e tyre misionaret skalabriniane - të angazhuara gjithnjë në strehimin e  emigrantëve - deshën ta theksojnë domethënien e kësaj Dite. “Çdo 18 dhjetor - pohon një notë e Motër Neusa de Fatima Mariano, eprore e përgjithshme e Motrave misionare Skalabriniane, është për ne ditë reflektimi. E kjo, para së gjithash, sepse çdo njeri, në mënyrën e vet, është emigrant: për shkak të luftës, të krizës, thatësirës, punës, ambientit,   dashurisë për jetën, kërkimit të një jete më të mirë e më të sigurt”.

“Sivjet - vijon komunikata - përkujtohet 20-vjetori i Lumnimit të themeluesit tonë, Giovanni Battista Scalabrini. Ai, atë i emigrantëve, i asistoi përherë me zemër, me mendje e me fe të gjithë ata, që emigronin  për të kërkuar kushte më të mira jetese”. Mbrojti - vijon nota - të drejtat themelore të njeriut, duke sensibilizuar e duke propozuar elementet themelore të doktrinës së tij shoqërore, si vënia e njeriut në qendër të vëmendjes, mbrojtja e të gjitha të drejtave themelore dhe vlerësimi i kulturave në veprimtarinë e ungjillëzimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.