2017-12-18 16:25:00

Atë Kantalamesa: Bota perëndimore e kremton Krishtlindjen duke harruar Krishtin!


Atë Kantalamesa: Bota perëndimore e kremton Krishtlindjen duke harruar Krishtin! Krishtlindja është tashmë tek porta, por perëndimi rrezikohet ta kremtojë këtë solemnitet duke harruar protagonistin: këtë nënvizoi Atë Raniero Kantalamesa, gjatë predikimeve të tij të Kohës së Ardhjes Por, ja çka thotë vetë predikatari:

Rrezikohemi të bëjmë festë, pa Atë që ka festën, sepse Krishtlindja po bëhet gjithnjë më shumë pikërisht kështu: festë në të cilën mungon ai që kremtohet, dmth Krishti Fëmijë. Shikojmë të përhapet gjithnjë më shumë një mendësi, që i jep Krishtlindjes kuptim krejt të ndryshëm nga ai që ka vërtetë. Kujtoj episode të ndrushme edhe të kohëve të fundit, ku propozohet të mos kujtohej më as emri i Krishtlindjes, por të zevendësohej me emrin “Festa e dritës” a diçka të ngjashme: nuk duhet t’i prekim njerëzit e feve të tjera, që banojnë pranë nesh – është preteksti - por në të vërtetë ky pretekst lind nga shekullarizmi, nga laicizmi, që nuk do shenja fetare nëpër këmbë, dmth në shoqëri.

Si duhet të veprojmë, për ta lëshuar plotësisht veten në dorën e Provanisë Hyjnore?

Fjala e Zotit është mjeti më i përshtatshëm, është mjeti i parë; i dyti është Eukaristia, por tek Eukaristia arrihet pasi ta kesh zbuluar kush është Jezusi. Prej këndej detyra e parë është predikimi, por jo një predikim i përgjithshëm, që nuk i prekë fare zemrat. E këtu dëgjohet zëri i Shën Palit, që na kujton se duhet të rinisemi nga kerygma. Kerygma do të thotë ta dëgjosh përsëri lajmin më të rëndësishëm, që përmbledh në vetvete të gjitha lajmet e tjera të mëdha të historisë së shëlbimit: Krishti vdiq për mëkatet e mia, u ngjall për shfajsimin tim. Ndërsa për ne, që jetojmë në një shoqëri, e cila nuk është e krishterë, siç ishte dikur, në të cilën shkolla, familja nuk u japin më fëmijëve edukatë fetare, feja nuk mund të lulëzojë vetvetiu, dalë-nga- dalë. Duhet nxitur. E Shën Pali na kujton se feja lind vetëm në praninë e këtij kumti. Gjithçka tjetër – katekizmi, morali, përshpirtëria – vijnë më pas, për të edukuar një fe, që tashmë ka lindur në shpirt. Por ‘fides ex audito’ na kujton Shën Pali, feja lind nga dëgjimi i këtij kumti.

Në predikimin tuaj të Kohës së Ardhjes, ju cituat, mes tjerash, një frazë të Origjenit: “Ç’vlerë ka për mua fakti që Krishti lindi një herë nga Maria në Betlehem, në se nuk lind përmes fesë edhe në shpirtin tim? Si mund ta kuptojmë këtë frazë?

Jezusi lindi një herë historikisht, një herë të vetme, por mund të lindë përsëri përmes fesë në shpirtin e njeriut, i cili – thoshte Shën Bonaventura – zë në shpirt dëshirën për ta pranuar Krishtin në jetën e vet në një mënyrë të re. Ja: kështu Krishti mund të lindë përsëri në këtë zemër, në këto zemra, në zemrat e ne të gjithëve: e këtë u uroj të gjithë dëgjuesve, posaçërisht në se janë besimtarë. Uroj, pra, të mos kënaqen me një Krishtlindje, që nuk e ndjejnë në thellësitë e shpirtit, por ta shijojnë me fund lindjen e Krishtit, që do të jetë burim i një gëzimi, ndoshta të panjohur...

Ç’ mund t’u themi atyre, që kalojnë periudha të vështira në jetë, që shikojnë t’u lëkundet feja, që janë në rrezik ta humbasin lidhjen me Zotin?

Shën Pali Apostull na jep një inkurajim të fuqishëm lidhur me këtë... na nxit të mendojmë se Jezusi, një ditë, hyri në zemrën e njeriut, që po e persekutonte... Atëherë duhet të kemi besim. Në se njeriu është në kërkim të Zotit, në se Zoti nuk përjashtohet vullnetarisht nga jeta, në se bëhen përpjekje për ta njohur, për ta takuar, Jezusi është aq i mirë, aq bujar, aq durimtar me ne, sa ta gjejë vetë rrugën për të arritur në zemrat tona, për ta kremtuar ditëlindjen e vet me ne, për të na mbushur me gëzimin, që vetëm Ai di ta japë, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike, shpirtërore ose nga mijëra trazira të tjera, që nuk mungojnë kurrë në jetën e çdo njeriu.

Pra, duhet t’ia hapin zemrat shpirtit të Krishtit?

Po: të besojnë në Të, të besojnë fort se Krishti Fëmijë nuk do të mungojë, do të na trokasë në portë Natën e Madhe e në të gjitha netët e jetës sonë, të shpirtit tonë!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.