2017-12-17 15:15:00

Papa: ç’është Krishtlindja, nëse i heqim Krishtin? Gëzimi ynë të jetë ngjitës!


Në të dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kujtoi se gëzimi i të krishterit lind nga takimi me Jezusin. E fëmijëve, që ishin në Shesh për bekimin e shtatoreve të Krishtit Fëmijë, u kujtoi se Krishtlindja pa Krishtin është festë e zbrazët.

“I krishteri, pasi ta ketë takuar Jezusin, nuk mund të jetë tjetër, veçse dëshmitar e kumtar  i gëzimit”. Kisha kremton sot të dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, që njihet si “e Diela e gëzimit”. Pas thirrjeve të mëparshme për të qenë vigjilentë e për t’ia përgatitur rrugën Jezusit, që vjen, sot liturgjia - kujtoi Françesku nga dritarja e Pallatit Apostolik mbi Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga një diell gati pranveror - i fton besimtarët ta jetojnë këtë kohë pritjeje me gëzim të vazhdueshëm, me lutje e me falënderim.

Gëzim i  vazhdueshëm

Shën Pali, në Letrën e parë drejtuar Selanikasve, sot Leximi II liturgjik, na porosit: “Të jeni gjithnjë të gëzuar!”. E Papa shpjegoi: kjo do të thotë të jesh gjithnjë shend e verë, edhe kur punët nuk shkojnë sipas dëshirave tona. Angushtitë, vështirësitë, pengesat e vuajtjet përshkojnë tejendanë jetën e secilit prej nesh. E shpesh realiteti, që na rrethon, duket tepër pak mikpritës, tepër i thatë, i ngjashëm me shkretëtirën, ku ushtonte zëri i Gjon Pagëzuesit, siç na e kujton Ungjilli i sotëm. Por pikërisht fjalët e Pagëzuesit tregojnë se gëzimi ynë buron nga siguria se kjo shkretëtirë është e banuar.

Është Jezusi, Ai që banon në shkretëtirë; është i dërguari nga Ati, që vjen “për t’u sjellë të mjerëve lajmin e mirë, për të lidhur plagët e zemrave të thyera, për të shpallur lirimin e skllevërve, këputjen e prangave të të burgosurve, për të shpallur vitin e hirit të Hyjit. Ai - kujtoi Papa - erdhi mbi tokë për t’u rikthyer njerëzve dinjitetin dhe lirinë e bijve të Zotit”.

Lutja ngulmuese

Shën Pali na jep edhe porosinë e dytë: “Lutuni pareshtur!”. Përmes lutjes  mund të hyjmë në lidhje të përhershme me Zotin, që është gurra e gëzimit të vërtetë. Gëzimi i të krishterit nuk shitet, as blihet, vjen nga feja e nga takimi me Jezu Krishtin, arsyeja e lumturisë sonë. Sa më shumë  të jemi të rrënjosur në Krishtin, aq më shumë gjejmë paqen e shpirtit, edhe në mes të kundërshtive të përditshme.

E ky është gëzim “që duhet ta ndajmë bashkë e që e bën më pak të mundimshme udhën e jetës”.

Dashuria plot mirënjohje ndaj Zotit

Së fundi, sjellja e tretë për të cilën flet Apostulli: falënderimi i përhershëm. Është shprehje e mirënjohjes së vazhdueshme ndaj Zotit, ndaj dhembshurisë së Tij, dashurisë së Tij përdëllyese, mirësisë së tij. E Papa kujtoi edhe Virgjërën Mari, së cilës mund t’ia besojmë plotësisht vetveten! Ajo është shkaku i gëzimit tonë, e jo vetëm pse lindi Krishtin, por edhe pse na merr për dore, për të na çuar tek Biri i saj hyjnor.

Bekimi i Shtatoreve të Krishtit Fëmijë

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa falënderoi besimtarët për ngrohtësinë e urimeve të tyre dhe për afishet në Shesh, përplot me fjalë të dala nga zemra për këtë ditë jo të zakonshme në jetën e Atit e Shenjtë.  E këtë të dielë, sipas traditës, bekohen shtatoret e Krishtit Fëmijë, për Shpellat  e Betlehemit. Françesku i përshëndeti fëmijtë e organizuar nga Qendra e Oratoreve Romake e i porositi:

“Kur të luteni në shtëpi, para Shpellës së Betlehemit, me familjarët, lërëni  t’iu tërheqë Krishti Fëmijë, që lind i varfër e i brishtë mes nesh, për të na dhuruar dashurinë e Tij. Kjo është Krishtlindja e vërtetë! Nëse ia heqim Krishtin, ç’mbetet nga Krishtlindja? Festë boshe! Mos e hiqni kurrë Krishtin nga Krishtlindja! Jezusi është qendra e Krishtlindjes! Ai është Krishtlindja e vërtetë!".








All the contents on this site are copyrighted ©.