2017-12-15 13:56:00

Viganò: marrëveshje ndërmjet SPC dhe Normales së Pizës për audiovizivët e Piu XII


Të rivlerësohet trashëgimia audiovizive e Piut XII. Ky është objektivi i bashkëpunimit shkencor ndërmjet Sekretarisë vatikanase për Komunikimin dhe Shkollës Normale të Pizës. Lajmin e dha prefekti, imzot Dario Edoardo Viganò, gjatë tryezës së rrumbullakët me temë “Selia e Shenjtë në epokën e komunikimit masiv”, mbajtur mbrëmë në Filmotekën e Vatikanit. Rasti qe 60-vjetori i Letrës Enciklike “Miranda Prorsus” të Papës Eugenio Pacelli, kushtuar “shpikjeve të mrekullueshme” teknike të mjeteve të komunikimit masiv.

         Botuar më 8 shtator 1957, kjo Enciklikë, theksoi imzot Viganò, tregon se Piu XII reflektonte jo më “mbi një medium të vetëm, por mbi një bashkësi mediash të njohura në atë epokë, të cilat i përdori menjëherë Selia e Shenjtë, si kinemaja – pjesërisht – radioja dhe televizioni”.

         Sot, me reformat e mediave vatikanase, jemi përsëri në epokën e ndryshimeve, nënvizoi imzot Viganò. Ashtu si atëherë “patëm një investim të madh në teknologjinë e fundit për kumtimin e Ungjillit dhe të mesazhit të Atit të Shenjtë”, ashtu edhe sot, është e nevojshme të kemi një mënyrë prodhimi shumëmedial, “që mesazhi i Papës, i Kishës dhe i Ungjillit të arrijë tek çdo burrë e çdo grua”.

         Në këtë kuptim, Enciklika “Miranda Prorsus” e Papës Piu XII e ruan aktualitetin e saj në promovimin e vlerave të vërteta, që kontribuojnë në zhvillimin e njerëzve dhe në mbrojtjen e dinjitetit të tyre. Edhe sot, përfundoi ai, është e rëndësishme etika e komunikatorit, sidomos në kohën e të ashtuquajturave “fake news”. “Fake news – shpjegoi imzot Viganò – nuk janë lajme qartas të gënjeshtërta, por të ngjashme me të vërtetën”, gjë që krijon strategji të fuqishme çinformimi, të cilat mund të luftohen vetëm duke e pasur mirë parasysh përgjegjësinë njerëzore, edhe më parë se atë profesionale.








All the contents on this site are copyrighted ©.