2017-12-15 15:37:00

Predikimi i Kohës së Ardhjes: Krishti të jetë në qendër të jetës sonë


Ta rivëmë Krishtin “gjithnjë më shumë ‘një i përjashtuar nga kultura e sotme’, kryesisht ‘në qendër të jetës sonë personale’”. Kjo, nxitja e atë Cantalamess-ës, predikatar i Shtëpisë Papnore, në predikimin I të Kohës së Ardhjes, në Vatikan, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit. Të pranishëm, Papa dhe Kuria romake.

Pse u mishërua Zoti?

Predikimi u përqendrua kryesisht tek një pyetje me rëndësi vendimtare: Pse  Zoti u bë njeri? Prespektiva sunduese, nga Shën Athanasi - tek Shën Anselmi, është “ajo antropologjke e lidhjes së Krishtit me njerëzimin”: “për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti nga qielli”.

I Lumi Duns Scot - nënvizoi atë Cantalamessa -  “e zgjidhi Mishërimin nga lidhja themelore me mëkatin”: “Zoti dëshiron të ketë, jashtë vetvetes, dikënd, që ta dojë plotësisht e në mënyrë të denjë për të. Mëkati i njeriut  përcaktoi mënyrën e Mishërimit, duke i dhënë karakterin e çlirimit nga mëkati, jo vetë faktin e Mishërimit”.

Shpirti Shenjt, forca e krijimit

Në një kulturë, të sunduar nga ideja e evolucionizmit - vërejti më pas predikatari i Shtëpisë Papnore - ka rrezik që Krishti të shikohet si “aksident historik, i izoluar nga Kozmosi”. Për teologun jezuit Teilhard de Chardin, në të vërtetë Krishti “jo vetëm që nuk është i huaj për evolucionin e Kozmosit, por misteriozisht e udhëheq atë nga brenda për të kryer, në çastin e Parusisë, përmbushjen përfundimtare të premtimeve dhe shndërrimin”. Forca misterioze, që e shtyn krijimin drejt përsosjes së tij - shtoi Atë Cantalamessa - është Shpirti Shenjt. “Në çdo përpjekje të çinteresuar e në çdo progres në ruajtjen e krijimit, është gjithnjë vepra e Shpirtit Shenjt”.

Ekologjizmi i krishterë

Krishti është edhe elementi kyç për ekologjizmin e shëndoshë dhe realistik të krishterë: “Krishti - nënvizoi atë Cantalamessa - luan rol vendimtar edhe lidhur me problemet konkrete të mbrojtjes së gjithësisë, por këtë e bën në mënyrë të tërthortë, duke vepruar mbi njeriun e - përmes njeriut - mbi krijimin”. “Krishti vepron në krijim, ashtu si vepron edhe në fushën shoqërore, e këtë e bën me porosinë për ta dashur të afërmin”.

Ruajtja e krijimit

Kujdesi për krijimin duhet të fillojë nga secili prej nesh. Françesku i Asizit - kujtoi predikatari i Shtëpisë Papnore - u thoshte gjithnjë sivëllezërve të tij: “Nuk kam qenë kurrë hajdut lëmoshësh, duke i kërkuar a duke i përdorur përtej nevojës. Mora gjithnjë më pak sesa më duhej, që të varfërit e tjerë të mos mbeteshin duarbosh, pa pjesën e tyre; sepse, të veprosh ndryshe do të thotë të vjedhësh”.

Padre Cantalamessa:

“Sot ky rregull mund të ketë zbatim më të nevojshëm se kurrë për ardhmërinë e tokës. Edhe ne duhet të propozojmë: mos i vidhni pasuritë e tokës, duke përdorur më shumë se duhet e duke i lënë duarthatë ata, që vijnë pas nesh. E, sa për t’ia nisur kësaj rruge, ne, që punojmë me karta, mund të kontribuojmë për frenimin e shpërdorimit të pafundmë, e të papërfillur, që i bëhet kësaj lënde të parë, duke e lënë tokë nënë me  ndonjë dru më pak”.

“Të gjithë, besimtarë e jo besimtarë, jemi të thirrur të angazhohemi për idealin e thjeshtësisë së jetës dhe të respektit për krijimin, por ne, të krishterët e bëjmë këtë për një arsye e me një ndjet më shumë, e më të ndryshëm. Nëse Ati qiellor e bëri gjithçka ‘Nëpër Krishtin e për Krishtin’  edhe ne duhet të përpiqemi ta bëjmë gjithçka kështu: ‘Nëpër Krishtin e për Krishtin’, domethënë me hirin e për lumninë e Tij. Edhe këtë, që po e bëjmë në këtë ditë e në këtë çast".








All the contents on this site are copyrighted ©.