2017-12-14 14:10:00

Në Romë u përurua ekspozita “Mëshira në Rusi”. Në të, edhe foto të Nënë Terezës


U përurua sot pasdite, e enjte, 14 dhjetor, pranë Pallatit të Kancelarisë, në Romë, ekspozita fotografike “Mëshira në Rusi”. “Vepra të fotografëve të njohur rusë - lexohet në një notë - pasqyrojnë kontributin e Kishës ortodokse ruse dhe të Fondacioneve të bamirësisë shpirtërore e trupore”.

Ekspozita, që u hap në orën 18.00, organizuar nën kujdesin e Igor Lapshin dhe Ekaterina Soboleva, u realizua nga Fondacioni Shën Gregori Teolog,   dhe Shtëpia Botuese e Patriarkanës së Moskës, së bashku me Shoqatën “Sofia: Ideja Ruse, Ide e Evropës”, me Akademinë “Dija e Shkenca”, Fondacionin e bamirësisë “Rusia”, Fondacionin “Dialog e kulturë – Bota e bashkuar, Këshillin Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve dhe  Ambasadën Ruse pranë Selisë së Shenjtë.

 “Mëshira është me rëndësi jetike për afrimin gjithnjë më të madh ndërmjet Kishave në udhën drejt unitetit, siç shkruhet në Deklaratën e përbashkët të Kubës. Sot, për shembull, Kishat punojnë krah për krah në asistencën e refugjatëve sirianë dhe të popullsive të dëmtuara nga lufta - pohojnë organizatorët. - Nuk është e rastit - shtojnë -  që një nga sektorët e ekspozitës i kushtohet Nënë Terezës, fotografuar gjatë vizitës së saj në Moskë, më 1987, me ftesën e Shenjtërisë së Tij, Patrikut të Moskës dhe të gjithë Rusive, Pimen. Mund të soditet edhe shtatorja prej bronzi e Nënë Terezës, rrethuar nga fëmijë me madhësi natyrale, realizuar nga skulptori Aleksej Leonov e dhuruara Romës nga Fondacioni “Dialog e kulturë - Bota e bashkuar” . Ekspozita,  me hyrje të lirë, do të jetë e hapur deri më 28 dhjetor.








All the contents on this site are copyrighted ©.