Të Dielën 10 dhjetor, Kisha katolike kremtoi të Dielën e dytë të Kohës
së Ardhjes. Gjithnjë më 10 dhjetor, kalendari përkujton edhe festën e Zojës
së Loretos, Shën Maurin martir e Shën Gregorin II, papë.
Të hënën më11 dhjetor, kalendari përkujton Shën Damazin I papë.
Liturgjia e ditës na kujton se Zoti ynë po vjen të na shëlbojë, të na i falë mëkatet
e të na shërojë trupin e shpirtin.
Të martën më 12 dhjetor, bie festa e Zojës së Guadalupes. Liturgjia
e ditës na kujton se tashmë ndjehet atmosfera e një bote të përtërirë, në të cilën
asnjë njeri që i beson me gjithë zemër Zotit, nuk do të humbasë, sepse Krishti është
gjithnjë në kërkim të deles së humbur.
Të mërkurën më13 dhjetor, kalendari kishtar Shën Luçinë, virgjër
e martire e Sirakuzës. Liturgjia e ditës na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë
nga mundimet e përditshme, por duhet ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit
zemërbutë e të përvujtë, të sigurt se një ditë do ta kundrojmë me sytë tonë lumninë
e tij.
Të enjten më 14 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin
e Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur. Liturgjia e ditës na nxit
t’i drejtojmë vetes pyetjen: “A jemi aq të përgatitur, sa ta presim Jezusin edhe kur
nata është tepër e errët?”.
Të premten më 15 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Valerianin,
ipeshkëv i Afrikës e martir. Liturgjia e ditës, na fton t’i drejtojmë Hyjit lutjen:
“O Hyj, më jep dijen e nevojshme për të të njohur Ty, me vetëdijen se kush ndjek Zotin,
do të ketë dritën e jetës”.
Të shtunën më 16 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Davidin,
mbret e profet dhe Shën Adelaidjen, perandoreshë. Liturgjia na kujtojnë se na kërcënon
gjithnjë rreziku të mos jemi në gjendje ta dallojmë, ndërmjet zërave të shumta që
vijnë nga të katër anët e botës, zërin i cili përgatit ardhjen e Mesisë. Na ndihmo,
o Zot, t’i njohim menjëherë të dërguarit e tu.
Te dielën e ardhshme më 17 dhjetor, Kisha katolike kremtojë të Dielën
e tretë të Kohës së Ardhjes. Po më 17 dhjetor kalendari përkujton p edhe Shën Danielin
profet dhe shenjtorët Anania, Azaria e Misaeli.
All the contents on this site are copyrighted ©. |