2017-12-10 13:29:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: me përvuajtëri, të hapim udhë shprese në zemrat e ftohta


Koha e Ardhjes, kohë për të pranuar “zbraztësitë”, që duhen mbushur në jetën tonë; për të sheshuar “vrazhdësinë e kryelartësisë” e “për t’i bërë vend” Jezusit, që vjen. Kjo, ftesa e Papës gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në të Dielën II të Kohës,  që na përgatit për Krishtlindje. Duke kujtuar liturgjinë e sotme, Françesku u ndalua tek fjalët e Izaisë Profet, i cili i kumton popullit fundin e internimit dhe rikthimin në Jeruzalem. Ai - shpjegoi Papa - i nxit të gjithë t’ia  përgatisin udhën Zotit, duke i mbushur të gjitha gollet e sjelljes sonë para Zotit,  duke i pranuar përvujtërisht të gjitha mëkatet tona e lëshimet tona.

"Një zbraztësi  e jetës sonë mund të jetë fakti se nuk lutemi fare, ose lutemi tejet pak. Koha e Ardhjes është, atëhere, çast i favorshëm për t’u lutur më shpesh e më fort. Për ta vënë jetën shpirtërore në vendin, që i takon. Një zbraztësi tjetër mund të jetë mungesa e dashurisë së krishterë ndaj të afërmit, sidomos ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë, jo vetëm materiale, por edhe shpirtërore. Jemi të thirrur të tregohemi më të vëmendshëm ndaj nevojave të të tjerëve, atyre që i kemi pranë, e atyre që janë larg”.

Profeti - shton Françesku - na nxit, pastaj “ta ulim” hundën, domethënë, kryelartësinë, mendjemadhësinë, prepotencën:

“Ku ka fodullëk, ku ka prepotencë, ku ka kryelartësi, nuk mund të hyjë Zoti, sepse kjo zemër është plot, nuk ka vend për askënd. Prandaj ta ulim kokën. Të sillemi butësisht e përvujtërisht, pa bërtitur, të dëgjojmë e të flasim ëmbëlsisht e kështu t’ia bëjmë gati udhën Shëlbuesit tonë zemërbutë e të përvujtë”.

Pastaj - vijoi Papa - duhet t’i zhdukim të gjitha pengesat, që vëmë ndërmjet nesh e Zotit, duke e bërë këtë me gëzim, pikërisht sepse është pjesë e përgatitjes për Arritjen e Jezusit.

Kur presim për vizitë në shtëpitë tona ndonjë njeri të dashur, kjo na mbush me gëzim, na bën të lum. Ashtu duam të gatitemi për ta pritur ardhjen e Zotit: duam ta presim çdo ditë me zell, që të na gjejë përplot me dritë e  hir, kur të vijë.

Shëlbuesi, që e presim - nënvizoi akoma Papa - është i aftë ta shndërrojë jetën tonë me hirin e Tij, me forcën e Shpirtit Shenjt, me pushtetin e dashurisë.

Shpirti Shenjt dikon në zemrat tona dashurinë e Zotit, burim i pashterrshëm i pastrimit, i jetës së re e i lirisë.

Virgjëra Mari - kujtoi në përfundim Françesku - e përgatiti ardhjen e Krishtit me gjithë vetveten, duke u lëshuar në krahët e Shpirtit Shenjt, që “e pagëzoi” dhe e “përmbyti” me pushtetin e Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.