2017-12-10 12:00:00

Në Sheshin e Shën Pjetrit u përuruan Shpella e Betlehemit dhe Bredhi i Krishtlindjes


Që të enjten e kaluar, në Sheshin e Shën Pjetrit, nisi të ndjehej plotësisht atmosfera e festave të mëdha të dimrit. U ndoq me emocion të madh ndriçimi i Shpellës së Betlehemit, dhuruar nga Abacia territoriale e Montevergine. E, më pas, çast tjetër kulmor, u ndriçua edhe Bredhi i Krishtlindjes, dhuruar nga kryedioqeza polake e Elk. Bredhi dhe Shpella do të vijojnë të ndriçojnë Sheshin me dritën e tyre misterioze deri të dielë, 7 janar, ditë kur përkujtohet Pagëzimi i Zotit dhe përfundon - në liturgji – Koha e Krishtlindjes.

Mund të vizitohet duke shtegtuar këto ditë feste në Sheshin e Shën Pjetrit, por edhe virtualisht, përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit.

Fundviti i Festave të Mëdha vijon të na dhurojë çaste prekëse. Të enjten, në orën 12.00 u ndoq edhe lutja e Engjëllit të Tënzot, e, mbasdite, lutja që Papa i drejtoi Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës.

Hap pas hapi, afrohet ora prekëse e mesnatës së 25 dhjetorit, me Meshën e Lindjes së Krishtit. E më pas, Nata e Vitit të Ri, kur kremtojmë përsëri “Te Deum”, në shenjë falënderimi ndaj Zotit për praninë e tij mes nesh në rrjedhë të një viti. E, më pas, edhe dita e parë e Vitit të Ri 2018, Ditë ndërkombëtare e Paqes, për një botë, që e dëshiron aq shumë. Kështu, deri në Solemnitetin e Pagëzimit të Zotit.

Na kujton një shprehje popullore italiane: “Kur Dëftimin e Zotit njerëzit ta kremojnë/ gjithë festat e dimërit nisen edhe shkojnë!”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.