2017-12-08 00:00:00

Koha e Ardhjes, kohë rizgjimi shpirtëror


Në ritmet e jetës së përditshme, shpesh të ethshme, kujtojmë se gëzimi i vërtetë i njeriut është takimi me Zotin: këtë na kujton Kisha, në udhën tonë drejti Betlehemit të Krishtit, gjatë kohës liturgjike e shpirtërore të Ardhjes. Pra, nuk duhet të joshemi nga xixëllimat e vitrinave, që në këtë kohë, shumë qytete e vende të botës perëndimore, mbushen përplot me sende kalimtare, por duhet të hyjmë në vetë zemrën e Krishtlindjes. E mos të harrojmë se gëzim i vërtetë është ai, që shndërrohet në solidaritet, për dashuri të Zotit, e jo ai, që kërkohet në parajsat artificiale të kënaqësisë, ku Zoti nuk ekziston.

Prandaj, koha liturgjike e shpirtërore e Ardhjes, që kemi filluar me të dielën e kaluar, është një kohë pendese dhe rizgjimi shpirtëror. Është kohë e përgatitjes për solemnitetin e Mishërimit të Zotit tonë Jezu Krisht.

Kjo kohë shpirtërore na kujton ardhjen e parë të Birit të Hyjit ndërmjet njerëzve, mishërimin e Tij, por është edhe kohë në të cilën, përmes kujtimit të ardhjes së parë të Jezu Krishtit – shpirti ynë udhëhiqet drejt pritjes së ardhjes së dytë të Tij, në fundin e kohëve, në mbarim të botës. 

Koha e Ardhjes është kryesisht kohë e përgatitjes për Krishtlindje, që nis me Lutjet e para mbrëmësore – mbrëmjen e së Dielës së parë të kësaj kohe e përfundon, natyrisht, Natën e  Krishtlindjes.

Është koha në të cilën Kisha e përqendron gjithë vëmendjen tek misteri i madh i Birit të Hyjit që merr natyrën njerëzore, që hyn në historinë tonë njerëzore e që zbret nga qielli për dashurinë tonë e për shpëtimin tonë. Kjo është kryesorja për Kohën e Ardhjes. 








All the contents on this site are copyrighted ©.