2017-12-07 14:57:00

Papa, fëmijëve të Korit të Vogël të Antonianum: këndoni e dhuroni qetësi


“Zoti është bërë Fëmijë për t’i qëndruar më afër njeriut të çdo kohe, duke i dëshmuar dhembshurinë e Tij pa fund”. Papa Françesku iu drejtua me këto fjalë fëmijëve të Korit të Vogël “Mariele Ventre” të Antonianum, nga Bolonja, të cilët i priti sot në Sallën Klementine, në Vatikan.

         Rast për takimin qe 60-vjetori i “Zecchino d’Oro”, festivalit të këngës për fëmijë, lindur nga ideja e Cino Tortorella-s (i njohur nga të gjithë si Magjistrari Zurlì). Këto ditë, festivali transmetohet nga televizioni italian RAIUNO, deri të shtunën, 9 dhjetor. Fëmijë nga 3 deri në 12 vjeç kanë marrë pjesë në këtë festival që nga viti 1959, gjithnjë të shoqëruar nga Kori i Vogël i Antonianum, i cili, tashmë, mban emrin e themelueses dhe drejtueses së parë të tij, Mariele Ventre. Me përkushtim të jashtëzakonshëm ajo u kujdes, 30 vjet me radhë, për fëmijët e korit, deri sa e la këtë botë, në vitin 1995. Që nga fillimet e tij, në festival kanë marrë pjesë 999 fëmijë, ndër të cilët edhe shqiptarë.

         “Me këngët tuaja – u tha Papa Françesku fëmijëve të korit – ju, me thjeshtësi e aftësi, transmetoni ndjenja qetësie, shumë të nevojshme për të gjithë, sidomos për ato familje, që sprovohen nga vështirësitë e vuajtjet”.

         Duke vënë në dukje se interpretimet e fëmijëve pëlqehen nga të vegjël e të mëdhenj, Ati i Shenjtë i inkurajoi t’u këndojnë vlerave të vërteta të jetës. E pastaj, urimi për Krishtlindjen:

         “Këngët tuaja, që tregojnë për lindjen e Jezu Krishtit, i ndihmofshin ata që ju dëgjojnë ta kuptojnë dashurinë dhe mrekullinë e ngjarjes së Betlehemit, 2000 vjet më parë. Edhe ne të gjithë presim që Jezusi të vijë në zemrat tona. Sa herë kemi nevojë, sa herë ndjejmë trishtim, ose ndonjë vështirësi, sa herë jemi të sëmurë e me probleme, le t’i kthejmë sytë kah Zoja e ta lusim të na mësojë të presim Jezusin. Krishti vjen gjithmonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.