2017-12-06 12:39:00

Papa: thirrje për Jeruzalemin, qytet shenjt për hebrenjtë, të krishterët, islamikët


“Mendimi i Papës, gjatë audiencës së përgjithshme, shkoi në Jeruzalem, tejet i shqetësuar për situatën e krijuar ditët e fundit” pasi Presidenti i SHBA-ve njoftoi se dëshiron ta zhvendosë ambasadën amerikane pranë Izraelit, nga Tel Avivi në Qytetin Shenjt për tri fetë, që besojnë në një Zot të vetëm. Prej këndej, Françesku bëri thirrje që të gjithë të angazhohen për të respektuar status quo-në e qytetit, në përkim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

“Jeruzalemi është qytet unik, i shenjtë për hebrenjtë, të krishterët e myslimanët, që në të nderojnë Viset e Shenjta të feve përkatëse, pa harruar edhe thirrjen e tij të posaçme për paqen. I lutem Zotit që ky identitet të ruhet e të forcohet, në dobi të Tokës Shenjte, të Lindjes së Mesme e të mbarë botës e të ngadhënjejnë urtia e maturia, për të shmangur shtimin e elementeve të reja të tensionit, në një panoramë botërore të pushtuar nga ankthi i një mori konfliktesh të tjera".

Lidhur me këtë ngjarje, të ndërlikuar e delikate, Papa Françesku foli dje me liderin palestinez, Mahmoud Abbas. Telefonata u konfirmua nga zëdhënësi i Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke, i cili saktësoi se bisedimi, i zhvilluar me nismën e Abbas, është pjesë e një seri kontaktesh  të Presidentit të Anp, pas bisedimeve me Donald Tramp gjatë të cilave, sipas zëdhënësit të Abbas, Presidenti i SHBA-ve i komunikoi se ka ndër mend ta zhvendosë ambasadën e SHBA-ve pranë Izraelit.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.