2017-12-06 15:45:00

Papa: e ardhmja e Azisë nuk u takon ndërtuesve të armëve, por të vëllazërimit


Kush nuk vuan me vëllain e vuajtur, edhe pse me racë, fe gjuhë e kulturë të ndryshme, duhet ta pyesë mirë veten mbi sinqeritetin e fesë së tij e të dashurisë së tij për njeriun. Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, Françesku kujtoi shtegtimin e tij të fundit apostolik në Mianmar dhe në Bangladesh e, në përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, posaçërisht në gjuhën arabe, theksoi se mbeti tepër i prekur nga takimi me refugjatët Rohingya, të cilëve u kërkoi ndjesë për çkujdesjen tonë e heshtjen tonë, ashtu si i kërkoi edhe bashkësisë ndërkombëtare t’i ndihmojë e t’i mbështesë të gjitha grupet e shtypura e të nëpërkëmbura në vise të ndryshme të botës. Edhe gjatë katekizmit, Ati i Shenjtë u ndalua përsëri tek takimet me këto popullsi, të dyndura në masë drejt Bangladeshit, ndonëse në këto troje - kujtoi Papa - dendësia e popullsisë është nga më të lartat në botë.

Pasi falënderoi përsëri autoritetet dhe ipeshkvijtë e dy vendeve aziatike, që e ftuan për t’i vizituar, Françesku nënvizoi se shtegtimi i parë i një pape në Mianmar u realizua edhe falë marrëdhënieve diplomatike të vendosura ndërmjet dy vendeve. Foli, më pas, për popullsinë vendase, që vuajti shumë për shkak të konflikteve e të shtypjes e që sot po shkon me hapa të ngadalshme, por të sigurta, drejt kushteve të reja të lirisë e të paqes.  Ndër këta njerëz është e rrënjosur fort feja budiste - kujtoi - ndërsa të krishterët janë një grigjë e vogël, por e gjallë e vepruese. Këtë Kishë Ati i Shenjtë -  siç e kujtoi gjatë audiencës - e përforcoi në fe e në bashkim gjatë takimit me ipeshkvijtë si dhe gjatë dy kremtimeve eukaristike. Njëri ishte rast i përshtatshëm për të kujtuar se persekutimet për shkak të besimit në Jezu Krishtin janë normale për dishepujt  e tij, parë si rast dëshmie, por edhe për  të cituar Ungjillin e Lukës, sipas të cilit asnjë fije floku e atyre që mundohen për, e si Krishti, nuk do të humbasë. Tjeri iu kushtua të rinjve:

“Në fytyrat e këtyre të rinjve, plot me gëzim, pashë ardhmërinë e Azisë, ardhmëri e cila nuk do të jetë e atyre, që prodhojnë armë, por e atyre, që mbjellin vëllazërimin”.

Pastaj Françesku rijetoi çastet e bekimit të gurëve të parë të 16 kishave, të seminarit e të nunciaturës, për të kaluar tek takimet me autoritetet e Mianmarit dhe inkurajimi për përpjekjet e paqësimit, duke uruar  që “të gjitha komponenetët e kombit, pa përjashtuar askënd, të bashkëpunojnë në këtë proces me respekt reciprok”. Nga përshëndetja drejtuar përfaqësive të bashkësive të ndryshme fetare, Papa kujtoi atë me Këshillin e Lartë të murgjërve budistë, “nderimin e Kishës për traditën e tyre të lashtë  shpirtërore dhe besimin se të krishterë e budistë mund t’i ndihmojnë së bashku njerëzit për ta dashur Zotin e të afërmin, duke refuzuar çdo tip dhune e duke iu kundërvënë së keqes me të mirë”.

Në Bangladesh ku - shtoi Papa - popullsia është me shumicë myslimane, vizita papnore ishte një hap para në favor të respektit e të dialogut ndërmjet krishterimit e islamit. Nga ana tjetër - vijoi - Selia e Shenjtë e  mbështeti që në fillim vullnetin e popullit bengalez për krijimin e shtetit të pavarur si dhe kërkesën që në të të mbrohej gjithnjë liria fetare.

Kujtoi, më pas, Meshën në Daka, me shugurimin e 16 meshtarëve të rinj, një nga ngjarjet - nënvizoi - më domethënëse e më gazmore të gjithë shtegtimit. E në vijim, Françesku falënderoi Zotin për dhantinë e thirrjeve të shumta në këto vende, ku ndjehet fort zëri i Zotit e ftesa e Tij për ta ndjekur. Takoi, më pas, ipeshkvijtë, të cilët i inkurajoi në punën e tyre fisnike për mbështetjen e familjeve, për ndihmën ndaj të varfërve, për edukimin, dialogun e paqen shoqërore. Ashtu si falënderoi edhe rregulltarët e rregulltaret, seminaristët, novicët e novicet “filiza të rinjt të kësaj Kishe”.

Një kujtim plot entuziazëm i Papës iu kushtua posaçërisht valleve. “Dinë të vallëzojnë bukur! Festë që manifestoi gëzimin e Ungjillit të pranuar nga kjo kulturë; gëzim i pllenuar nga flijimet e misionarëve, katekistëve e prindërve të shumtë të krishterë”. Në takim ishin të pranishëm edhe të rinj myslimanë e të feve të tjera: shenjë shprese për Bangladeshin, Azinë, mbarë botën.

Së fundi, duke përshëndetur shtegtarët polakë, Papa i falënderoi në mënyrë të posaçme ata, që u angazhuan për ta dhuruar e për ta sjellë në Sheshin e Shën Pjetrit  bredhin madhështor të Krishtlindjes. Kujtoi edhe se të dielën e ardhshme, në Poloni, do të kremtohet Dita e Lutjes dhe e Ndihmës për Kishat e Lindjes: “Ia besoj Zotit këtë vepër, shenjë e dëshirës për t’i ndihmuar besimtarët dhe barinjtë e vendeve fqinje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.