2017-12-06 13:04:00

Papa, Akademive Papnore: të dini t’u flisni zemrës së të rinjve


U mblodhën në Vatikan për Sesionin e tyre XXII Solemn Publik, shtatë Akademitë Papnore të koordinuara nga kardinali Gianfranco Ravasi. Siç u shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij, ky është rast për “t’u thelluar në tematikat themelore të botëkuptimit humanist të krishterë”. Sesionet publike të akademive kanë filluar që nga viti 1995 e, më vonë, u është bashkangjitur edhe një çmim. Protagonistja e këtij viti është Akademia Papnore Latinitatis me temën “In interiore homine. Udha kërkimore në traditën latine”.

         Duke shprehur mirënjohje për zgjedhjen e argumentit, Papa Françesku nënvizon në mesazh, se tema e shpirtit, e zemrës, e ndërgjegjes dhe e vetëdijes së njeriut është qendrore jo vetëm në përvojën e krishterë, por edhe në atë njerëzore në përgjithësi. Ajo është e përbashkët për shumë tradita fetare dhe kulturore dhe jashtëzakonisht e rëndësishme për kohën tonë, “shpesh e karakterizuar nga dukja, nga pamja e jashtme, nga ndarja ndërmjet zemrës e mendjes, ndërmjet botës së brendshme dhe asaj të jashtme, ndërmjet ndërgjegjes dhe sjelljes”.

         “Çastet e krizës, të ndryshimeve, të shndërrimeve”, shkruan Papa, “jo vetëm të marrëdhënieve shoqërore, por sidomos të njeriut e të identitetit të tij më të thellë, kërkojnë pashmangshëm reflektimin mbi botën e brendshme, mbi thelbin intim të njeriut”.

         Për këto tema, në botën klasike e në atë të krishterë, kanë reflektuar shumë njerëz. Mjafton të mendojmë për veprat e Shën Augustinit, që nga “Rrëfimet” e deri tek “Për fenë e vërtetë”, në të cilat ai e përmbledh urtinë e lashtë e atë ungjillore me fjalët: “Mos dil jashtë vetvetes, kthehu tek vetja; e vërteta banon në njeriun e brendshëm e, nëse vëren se natyra jote është e ndryshueshme, kapërceje edhe vetveten” (39,72).

         Reflektimi i shën Augustinit bëhet pastaj thirrje e zjarrtë në komentin e Ungjillit sipas Gjonit (18,10): “Kthehuni në zemrën tuaj! Ku doni të shkoni larg prej vetes? Duke shkuar larg do të humbni. Pse shkoni në rrugë të shkreta?”. E shenjti tregon edhe horizontin e udhës njerëzore: “Kthehu në zemër; aty, shqyrtoje atë, që ndoshta percepton prej Zotit, sepse aty gjendet figura e Zotit; brenda njeriut banon Krishti” (ibid.).

        Këto pohime, sipas Papës, kanë aktualitet të jashtëzakonshëm, sidomos për “më të rinjtë, të cilët fillojnë aventurën e madhe të jetës e shpesh përfshihen në labirintet e dukjes e të banalitetit; të suksesit të jashtëm, që e fsheh boshllëkun e brendshëm; të hipokrizisë, që e maskon ndarjen ndërmjet dukjes dhe zemrës”.

         Që këtej, thirrja e fuqishme për akademikët, që marrin pjesë në Sesionin Publik, për ta transmetuar urtinë e etërve, nisur nga tekstet e kulturës latine. “Të dini t’i flisni zemrës së të rinjve – e përfundon mesazhin Papa Françesku – të dini ta ktheni në thesar trashëgiminë e pasur të traditës latine, për t’i edukuar ata në udhën e jetës e për t’i shoqëruar përgjatë shtigjeve plot shpresë e besim, duke u bazuar në përvojën e në urtinë e atyre, që e kanë pasur guximin dhe gëzimin për t’u kthyer brenda vetes, për të ndjekur identitetin e thirrjen e tyre njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.