2017-12-05 09:13:00

Më 5 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Sabën


Më 5 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Sabën, themelues dhe Arkimandrit i bashkësisë murgare të "Laurës së madhe" në Palestinë. Kush e viziton sot këtë bashkësi, që jeton ndër shpella, hapur në faqet e rrëpirta të shkëmbit, në Luginën e Cedronit , tek portat e Jeruzalemit, do të vërejë menjëherë se këtu kujtimi i Shenjtit është ende i gjallë.

Shën Saba, shumë popullor, i nderuar posaçërisht nga Kisha greke, por jo më pak edhe nga Kisha e Romës, lindi në Mutalaska të Kapadocies në vitin 439. Pasi kaloi rininë në një manastir, në kushte shumë të shtrënguara jetese, u tërhoq për të medituar në shkretëtirë, ku provoi ç’do të thoshte jetë eremite. Vdiq më 5 dhjetor të vitit 532. Trupi i tij i patretur, i mbartur më parë Venedik e më pas në Romë, iu kthye më 1965 manastirit të tij nga Papa Pali VI.

Shën Saba kujtohet si asketi i parë që jetoi në Tokën ku lindi Jezusi. Kulti i nderimit të tij është veçanërisht i gjallë ndërmjet murgjëve bizantinë romakë, të cilët i kanë ngritur një manastir e një nga Kishat më të bukura të lashtësisë mbi kodrën romake Aventino.








All the contents on this site are copyrighted ©.