2017-12-04 15:37:00

Papa: të lutemi që të moshuarit të mos harrohen


Historia e një familjeje, e një bashkësie, e një populli. Kjo, tema e videomesazhit të Papës për ndjetet e lutjes së muajit dhjetor. Thirrje e fuqishme për t’i kujdesuar e për të mos i harruar të moshuarit dhe urtinë, që ruajnë e transmetojnë.

Duke rikujtuar fjalët e Meshës Shenjte të 28 shtatorit 2014, kremtuar nga Françesku me të moshuarit në Sheshin e Shën Pjetrit, në të cilën pati komentuar takimin e vashës Mari me plaken Elizabetë, Papa nënvizoi përsëri, në këtë videomesazh, se “Një popull, që nuk kujdeset për gjyshërit e nuk i trajton mirë, është popull pa të ardhme”.

Çkujdesja dhe indiferenca ndaj të moshuarve të shoqërisë sonë, për të cilën flet Papa, paraqitet në videomesazh me skena të jetës së përditshme: tre pleq ecin nëpër rrugët e njërit nga metropolet tona. Askush nuk ua vë veshin, në sa shkojnë në një lokal, për t’u marrë me muzikë, duke kaluar pakëz kohë së bashku.  

“Pleqtë – kujton Françesku – kanë urtinë. Atyre u është besuar transmetimi i përvojës së jetës, i historisë së familjes, të bashkësisë, të mbarë popullit”.

E pikërisht këtë bën trioja, përmes muzikës. Vetëm një i ri i dëgjon. I tërhequr nga notat, hyn në lokal e me saksofonin e tij, bashkohet me muzikantët e moçëm, duke e ndjekur përsosurisht ritmin e melodisë.

Është kalimi i kulturës dhe i edukimit nga breznia në brezni. Prej këndej, ndjeti i lutjes për muajin e Krishtlindjes: “Të mos i harrojmë pleqtë tanë, në mënyrë që, të mbështetur nga familjet dhe nga institucionet, të bashkëpunojnë me urti e përvojë në edukimin e breznive të reja”.

Të lutemi, pra, për të moshuarit, sipas ndjetit të Papës, gjatë këtij muaji, me të cilin përfundon edhe një vit në jetën e breznive, që pasojnë njëra-tjetrën, duke u plakur e duke u rinuar në rrjedhë shekujsh.








All the contents on this site are copyrighted ©.