2017-12-04 07:17:00

Më 4 dhjetor 1906 themelohet shoqëria ‘Bashkimi’ në Bukuresht


Duke shfletuar kalendarin historik, më 4 dhjetor, përkujtojmë një datë me rëndësi të veçantë për çështjen kombëtare shqiptare: përvjetorin e themelimit në Bukuresht të shoqërisë “Bashkimi”, më 4 dhjetor 1906, në të cilën vetëm 6 vjet para shpalljes së Pavarësisë, u shkrinë shoqëritë “Diturija” (pasardhëse e “Dritës) dhe “Shpresa”.

Në vijim të veprimtarisë patriotike, nisur nga “Drita” qysh pas Lidhjes së Prizrenit, shoqëria e re do të mbetej një nga vatrat më të rëndësishme të botimit të librave në gjuhën shqipe. Librat, përgatitur prej atdhetarësh punëtorë, dilnin një nga një nga shtypshkronja e saj e dërgoheshin në të katër anët e Shqipërisë e të botës, që nga Amerika deri në Kinë, duke përhapur kështu kudo idenë e madhe të Shqipërisë së mosvrame.

Lexoheshin me etje të madhe dhe ngjallnin ndër zemra ndjenjën e kombësisë, dëshirën për një Rilindje e për një Atdhem, duke u bërë burim i pashtershëm i idealit të ri të popullit shqiptar. Nga kjo shoqëri nisi fushata e sulmi për përdorimin e gjuhës shqipe në shkollat e Shqipërisë e po nga kjo, veprimtaria për të përhapur kudo vargjet dhe notat e Himnit të Flamurit, krijuar po në gjirin e saj nga ai, që qe deri në vdekje, shpirti i lëvizjes së shqiptarëve të Rumanisë, Asdreni.

Po kjo shoqëri do të dërgonte më 28 nëntor për të ngritur Flamurin Kombëtar në Vlorë një delegacion të përbërë nga 6 patriotë nga më të dalluarit e të flakët, ndërmjet të cilëve, Luigj Gurakuqin, që do të luanin, më pas, një rol të dorës së parë për organizimin e shtetit shqiptar në fasha.








All the contents on this site are copyrighted ©.