2017-12-03 13:42:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: i kam në zemër fytyrat e vuajtura, por të qeshura të Mianmarit e Bangladeshit


Mendimi më shkon tek vendet e vizituara në shtegtimin e 21-të apostolik, në Mianmar e Bangladesh e fjalët e para janë falënderim drejtuar Zotit, që më ndihmoi t’i takoj këto popullsi e “të ngushëllohem nga dëshmia e tyre”. Këto ishin fjalët e para të Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot:

“M’u ngulit në mendje kujtimi i fytyrave të shumta, të munduara nga jeta, e megjithatë, fisnike, të qeshura. I kam të gjithë në zemër  e në lutje. Shumë faleminderit popullit të Minamarit dhe popullit të Bangladeshit”.

Në zemrën e Françeskut, sot paradite, ishte edhe një vend tjetër, i tronditur nga çrregullimet shoqërore pas zgjedhjeve presidenciale të së dielës së kaluar:

“Në lutjen time kujtoj në mënyrë të posaçme edhe popullin e Hondurasit, me besimin se do të mund ta kapërcejë në mënyrë paqësore çastin e  vështirë të sotëm”.

Në katekizmin e së dielës së parë të Kohës së Ardhjes, Papa u ndalua tek domethënia e kësaj kohe kaq të çmueshme:

“Koha e Ardhjes na u dha që të presim Zotin, i cili vjen të na takojë, që të verifikojmë dëshirën tonë për Zotin, të shkojmë përpara e të përgatitemi për kthimin e Krishtit”.

Prandaj Jezusi, në Ungjillin e sotëm - kujtoi Papa - na fton  “të jemi të vëmendshëm e të rrimë zgjuar”. Po kush është njeri i vëmendshëm?

“... është ai që, në mes të zhurmës së botës, nuk lejon të pushtohet nga çkujdesja a cektësia, por jeton në mënyrë të plotë e të vetëdijshme, duke u shqetësuar kryesisht për të tjerët”.

Kështu - shpjegoi Françesku - mund të kujtohemi plotësisht për lotët e për nevojat e të afërmit e t’ia kuptojmë edhe aftësitë e cilësitë shpirtërore, duke u përpjekur t’i kundërvihemi indiferencës e mizorisë, kaq të përhapura në botën e sotme, e duke u kënaqur me thesaret e bukurisë, që gjithashtu ekzistojnë e duhen ruajtur:

“Duhet të kesh shikim mirëkuptues, për t’i pranuar si mjerimet e varfërinë e njerëzve e të shoqërisë, ashtu edhe pasurinë e fshehur në sendet e vogla, të përditshme, pikërisht atje, ku na vuri vetë Zoti”.

E kush është njeri vigjilent?

“ ...është ai, që e pranon ftesën për të vigjiluar, domethënë, që nuk lejon të pushtohet nga dremitja e çkurajimit, nga mungesa e shpresës, nga zhgënjmi; e njëkohësisht i hedh poshtë nxitjet, që vijnë nga kotësitë, me të cilat është përplot kjo botë e për të cilat,  shpesh herë, flijohen koha e paqja personale e familjare”.

Vëmendja e vigjilenca janë parakushtet - përfundoi Papa - që i krijojnë Zotit mundësinë të hyjë në jetën tonë, për t’ia rikthyer kuptimin e vlerën me praninë e Tij plot mirësi e butësi.

Së fundi, lutja drejtuar Marisë, që të na prijë drejt takimit me Birin e saj Jezus, duke e gjallëruar dashurinë tonë për Të.

Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve pas lutjes mariane, Papa iu drejtua posaçërisht bashkësisë rumune, që jeton në Itali e që sot kremton festën kombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.