2017-12-01 12:19:00

Dita e dytë e Papës Françesku në Bangladesh


E premte feste në Bangladeshin me shumicë myslimane, ku Papa Françesku përjetoi një ditë të ngjeshur me kremtime e takime, në udhëtimin e tij të 21-të apostolik, pas vizitës në Mianmar.

         Siç shihej edhe nga gazetat vendase, por edhe nga interesi ndërkombëtar, bota priste me padurim takimin e Atit të Shenjtë me 18 myslimanët Rohingya në oborrin e kryeipeshkvisë, në Daka, veprimtaria e fundit e ditës së sotme, para se Papa të kthehej në nunciaturën apostolike, ku po qëndron këto ditë. 18 myslimanët Rohingya ishin anëtarë të tri familjeve refugjate. Shoqëroheshin nga dy përkthyes të Karitasit, edhe ata pjesëmarrës të takimit ndërfetar dhe ekumenik për paqen, në kornizën e të cilit Rohingyat përshëndetën Papën Françesku. Pas lutjes ekumenike të ipeshkvit anglikan, myslimanët Rohingya u ngjitën në podium për të përshëndetur Atin e Shenjtë e për të bërë një fotografi me të. Gjatë këtyre ditëve, gazetat më të rëndësishme të Bangladeshit kanë vënë vazhdimisht në dukje thirrjen e Papës Françesku drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, në favor të Rohingya-ve.

         Ndërkaq, për bashkësinë katolike të Bangladeshit, rreth 375 mijë besimtarë, që përfaqësojnë vetëm 0,24% të popullsisë, kremtimi më i rëndësishëm i sotëm ishte, pa dyshim, mesha me shugurimin e 16 meshtarëve të rinj, në Parkun “Suhrawardy Udyan” të Dakës. Më pas, Papa Françesku u takua me kryeministren e vendit, në nunciaturën apostolike. Bijë e Atit të Kombit, mori pjesë në revoltën popullore të vitit 1969. Më 15 gusht 1975 krejt familja e saj vritet nga ushtria rebele, ndërsa ajo vetë dhe e motra ndodheshin në Gjermaninë Perëndimore. U kthye në atdhe si lidere e opozitës. U zgjodh kryeministre në vitin 1996.

         Pas takimit me të, Papa Françesku zhvendoset në zonën e Ramnas, gjithnjë në Daka, për të vizituar katedralen e Zojës së Papërlyer, ndërtuar në vitin 1956. Aty u prit nga 700 besimtarë e bamirës, të cilët i përshëndeti dhe u dha bekimin apostolik. Pas lutjes në kapelën e të Shenjtnueshmit Sakrament, Papa doli nga kisha për t’u lutur edhe në varret e tre ipeshkvijve të mëparshëm të Dakës. 50 metra më tej, hyri në Shtëpinë për meshtarët e moshuar, ku u takua me ta e me 10 ipeshkvijtë e Bangladeshit. Prekës, çasti i fundit: bekimi i 7 meshtarëve të sëmurë, para se Ati i Shenjtë të përshkonte 80 metrat, që e ndanin nga podiumi në oborrin e kryeipeshkvisë së Dakës, ku u zhvillua Takimi ndërfetar dhe ekumenik, me të cilin përfundoi dita e sotme.        








All the contents on this site are copyrighted ©.