2017-11-30 16:15:00

Shtëpia “Nënë Tereza” në Tejgaon, Bangladesh


Shtëpia “Nënë Tereza”, përuruar në vitin 1976, është më e vogla ndër shtëpitë, që drejtojnë Motrat Misionare të Bamirësisë në Daka. Nënë Tereza e zgjodhi për të ndenjur aty, gjatë vizitave të saj në qytet. Gjendet në lagjen Tejgaon, në kompleksin famullitar të “Kishës së Rruzares Shenjte”, që përfshin edhe kishën e lashtë portugeze. Aktualisht  kujdeset për mijëra jetimë dhe njerëz me kufizime mendore e fizike.

Në Daka, përveç shtëpisë së Mëshirës, Misionaret e Shën Nënë Terezës kryejnë misionin e tyre edhe në lagjen Islampur, përmes qendrës “Shishu Bhavan”, apo “Shtëpia e Fëmijës”. E themeluar në vitet ’70, qendra merret kryesisht me strehimin e vajzave-nëna, të cilat në Bangladesh quhen “bitanganas”, që do të thotë “heroina”, sepse të mbetura shtatzënë pas dhunimeve të pësuara nga ushtarët pakistanezë, gjatë luftës për pavarësinë e vendit. Falë veprimtarisë së Misionareve të bamirësisë, shumë fëmijë të lindur në këtë qendër, gjetën  ngrohtësinë e familjes në Evropë, në Amerikën Veriore dhe në Australi, ku u bijësua një pjesë e mirë prej tyre, kur “Nënat heroina”, nuk qenë në gjendje t’i mbajnë pranë, për shkak të kushteve tejet të vështira të jetës në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.