2017-11-30 14:05:00

Programi i nesërm i Papës Françesku në Bangladesh


Nesër, në ditën e pestë të shtegtimit apostolik në Mianmar e Bangladesh, Papa Françesku, që tashmë ndodhet në Daka të Bangladeshit, do të kremtojë meshën në Suhrawardy Udyan Park të kryeqytetit. Gjatë ritit, Ati i Shenjtë do të shugurojë 16 meshtarë të rinj. Pikërisht në këtë park, Ati i Kombit, shehu Mujibur Rahman, presidenti i parë i Bangladeshit, pati mbajtur një fjalim historik para luftës së 1971-shit, që i solli vendit pavarësinë.

         Më pas, Papa Françesku do të takohet me kryeministren bengaleze, në Nunciaturën Apostolike. Ajo është e bija e “Atit të Kombit”. Pasdite, me orën vendase, Ati i Shenjtë do të vizitojë katedralen e Zojës së Papërlyer në qendër të Dakës, ku do të lutet së bashku me 700 besimtarë e bamirës, për të shkuar pastaj në Shtëpinë për meshtarët e moshuar, ku do t’u flasë 10 ipeshkvijve të Bangladeshit.

         Në kopshtin e kryeipeshkvisë së Dakës, ku mund të qëndrojnë lirisht 5 mijë vetë, Papa Françesku do të marrë pjesë në Takimin ndërfetar dhe ekumenik për paqen, do të dëgjojë përshëndetjet e përfaqësuesve të pesë bashkësive fetare dhe të shoqërisë civile e do t’u drejtojë të pranishmëve fjalimin e vet. Kjo është veprimtaria e fundit e Papës gjatë ditës së nesërme, para se të kthehet në nunciaturë.








All the contents on this site are copyrighted ©.