2017-11-30 13:25:00

Papa Bartolomeut: urgjent, shpejtimi i hapave drejt bashkimit të plotë


Në kuadrin e shkëmbimit tradicional të Delegacioneve për festat përkatëse të Pajtorëve - më 29 qershor në Romë, për kremtimin e Shenjtorëve Pjetër e Pal e më 30 nëntor në Stamboll, për kremtimin e Shën Andreut - kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të krishterëve, udhëheq delegacionin e Selisë së Shenjtë në festën e Patriarkanës Ekumenike.

Gjatë Liturgjisë solemne, kryesuar nga Shenjtëria e Tij Bartolomeu, në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit, në Fanar, kardinali Koch i dorëzoi Patrikut ekumenik një mesazh autograf të Atit të Shenjtë, të cilin edhe e lexoi publikisht.

“Edhe pse larg nga Roma - shkruan Françesku - për shkak të vizitës sime baritore në Birmani e Bangladesh, dëshiroj t’i bëj urimet e mia më vëllazërore Shenjtërisë Suaj dhe anëtarëve të Sinodit të Shenjtë, klerit, murgjërve dhe të gjithë besimtarëve, mbledhur për Liturgjinë Hyjnore, në kujtim të Shëna Ndreut Apostull. Kur diakoni i fton besimtarët e mbledhur  në Liturgjinë Hyjnore që të luten ‘për ata, që shtegtojnë nëpër tokë, nëpër det e nëpër ajër ‘ - shkruan Papa – ju kërkoj të luteni edhe për mua”.

Françesku e paraqet kështu delegacionin e dërguar: “Shenjë e solidaritetit tim shpirtëror me lutjen tuaj të falënderimit e të lavdit për gjithçka që Zoti ynë i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm realizoi përmes Shëna Ndreut Apostull”.

Katolikëve dhe ortodoksëve Papa u kujton se është kumtimi i Fjalës së Jetës i nisur nga Apostujt, shenja e bashkimit me Atin, përmes Birit, në Shpirtin Shenjt. “Katolikë e ortodoksë, duke shpallur së bashku dogmat e shtatë Koncileve të para ekumenike, duke besuar  në  forcën e Eukaristisë e të Sakramenteve të tjera e duke ruajtur vazhdimësinë apostolike të shërbesës së ipeshkvijve, e ndjejnë thellësisht afërsinë me njeri-tjetrin”. Sot - vijon të kujtojë Papa - duke falënderuar Atin e dashurisë, duke iu bindur vullnetit të Zotit tonë Jezu Krishtit e duke i qëndruar besnikë mësimeve të Apostujve, pranojmë sa “urgjent është shpejtimi i hapave drejt bashkimit të plotë  e të dukshëm”.

Në fjalët e Papës ndjehet fort edhe gëzimi për kujtimin - në prag të Festës së Shëna Andreut, gjatë një takimi, ku mori pjesë edhe Bartolomeu - të 50-vjetorit të vizitës së Palit VI në Fanar, më 25 korrik 1967, në çastin “historik të bashkimit” të Barinjve.

E në fund, dëshira e shprehur nga Papa që “katolikë e ortodoksë të promovojnë nisma të përbashkëta në nivel lokal lidhur me temat e kujdesit ndaj gjithësisë, bashkëjetesës ndërmjet popujve, kulturave e traditave të ndryshme fetare dhe pranisë së të krishterëve në Lindjen e Mesme, duke theksuar se ka shumë rrethana në të cilat katolikë e ortodoksë mund të punojnë së bashku, pa pritur ditën e bashkimit të plotë e të dukshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.