2017-11-30 13:38:00

Papa, mesazh për “A sua Immagine”: 20 vjet në shërbim të Ungjillit


Falenderim për shërbimin ndaj vendit dhe ndaj bashkësisë së besimtarëve, si edhe inkurajim për të ardhmen. Ky është mesazhi, që Papa Françesku i drejton sot redaksisë së programit televiziv të RAIUNO-s, “A sua immagine” (Sipas shëmbëlltyrës së Tij – fjalë marrë nga Libri i Zanafillës), që u kushtohet veprimtarive të Kishës Katolike. “20 vjet nuk janë pak e ky është çast për të parë drejt së ardhmes”, shkruan Ati i Shenjtë për emisionin, “fryt i një bashkëpunimi të bukur ndërmjet Televizionit publik italian, RAI-t dhe Konferencës Ipeshkvnore Italiane, realizuar nga një grup njerëzish të apasionuar e të aftë, që nuk e konsiderojnë shërbimin e tyre si zanat, por si mision”.

         Që nga vjeshta e vitit 1997, përshkruan Papa natyrën e emisionit, në 20 vjet veprimtari, keni çuar në shtëpitë e italianëve Fjalën e Zotit, përmes kremtimit të meshës, lutjes së Engjëllit të Tënzot nga Sheshi i Shën Pjetrit çdo të dielë, si edhe përmes dëshmisë së fesë të njerëzve, që jetojnë në territore, ku “të jesh i krishterë është faj aq i rëndë, sa meriton vdekjen”.

         E duke pasur parasysh impenjimin ungjillor të redaksisë, Papa Françesku thekson: “Ungjilli është i bukur, sepse nuk është kod me ligje për t’u respektuar që të mos dënohemi, por është tregimi i takimit me një njeri të gjallë, që akoma sot, na kërkon ta kryqëzojë udhën me secilin prej nesh për të na dhënë dhuratë jetën e vet”.

         Papa Françesku e këshillon redaksinë të “dëgjojë të rinjtë; të ketë parasysh dëshirat e atyre, që nuk kanë zë; të atyre, që me vështirësi dëgjohen, sepse mënjanohen; të atyre, që banojnë në periferitë e qyteteve. Mbi këto territore – kërkon Ati i Shenjtë – ndizini telekamerat dhe reflektorët, që të informohemi, të na jepet arsyeja për të kuptuar se Ungjilli nuk është parantezë e jetës së përditshme, por mishëron historinë e njerëzve, prek korpin e tyre e bën të lindin tregime të reja”. “Ju shoqëroftë entuziazmi në kërkimin e mënyrave të përshtatshme të komunikimit për njeriun e sotëm – përfundon Papa. - Punoni me frymën e bashkëpunimit dhe të dialogut”.








All the contents on this site are copyrighted ©.