2017-11-29 14:59:00

Mianmar: qeveria organizon Konferencë për paqe me pakicat etnike


Qeveria e Mianmarit njoftoi se në fund të janarit 2018 do të mbahet seksioni i tretë i Konferencës për paqen me pakicat etnike, e njohur si “Konferenca e Panglong”. Nisma për të vijuar takimet dhe bisedimet me grupet etnike të armatosura, me të cilat ushtria birmane lufton që prej 60 vjetësh, është organizuar dhe shpallur në përkim me vizitën e Papës Françesku në vend.

Qeveria birmane ka nënshkruar marrëveshje për armëpushim me tetë organizata të armatosura, shprehje e po aq grupeve etnike, sidomos, në sajë të impenjimit të Këshilltares së Shtetit, Aung San Suu Kyi, Çmim Nobel për Paqen. Argumentet, që do të diskutohen në janar, kanë të bëjnë me aspekte të dialogut politik në nivel kombëtar e, ndër të tjera, në bisedime do të përfshihen edhe pakicat myslimane “rohyngia” të Shtetit të Rakhines.

Lajmi për Konferencën është ndjekur me interes nga shoqëria civile birmane dhe nga bashkësitë katolike në botë. Në një notë për agjencinë katolike të lajmeve Fides, organizata ndërkombëtare “Solidariteti i krishterë në botë”, shkruan: “I kërkojmë qeverisë së Mianmarit t’i lejojë organizatat ndërkombëtare të çojnë ndihma humanitare në shtetin e Rakhine-s e t’u japë fund dhunimeve të rënda të të drejtave të njeriut në shtetet e Kachin-it dhe të Shan-it, duke iu kundërvënë seriozisht fushatës së nacionalizmit fetar, intolerancës dhe urrejtjes në të gjithë vendin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.