2017-11-29 17:16:00

Bangladesh: policia, në kërkim të një meshtari të zhdukur


Orë ankthi për Kishën në Bangladesh: atë Walter William Rosario, rregulltar, 40 vjeç, u zhduk që të hënën e kaluar në qytetin Bonapra, ndërsa shkonte për të vizituar një Kishë në fshatin fqinj. Njoftimin e dha sot  gazeta The Dayly Star, duke cituar policinë lokale. Atë Rosario është drejtor i Jonail Saint Luis High School, në distriktin verior bengalez të Natores.

Policia e Baraigram u lajmërua për zhdukjen e tij  nga  një rregulltar tjetër, atë Subrata Purification, i Kishës katolike të Jonail, pas një mori kërkimesh të pafrytshme nga ana e familjarëve të të zhdukurit. Familja mori edhe një telefonatë, përmes së cilës i kërkohej shpërblim, por për policinë kjo është pistë e rreme.

Në të njëjtin lokalitet, në veri të vendit ku jeton atë Rosario, vitin e kaluar  disa njerëz, të dyshuar si ekstremistë islamikë, mbytën me sopatë një bakall katolik.

Ipeshkvi i qytetit fqinj Rajshahi, imzot Gerves Rosario, mendon se rregulltari duhet të jetë rrëmbyer dhe shpreh shqetësimin e  tij të thellë: “Po organizonte shtegtimin në Dacca të një grupi katolikësh, për të takuar Papën e për të ndjekur Meshën - tha ipeshkvi - por zhdukja e tij e shndërroi gëzimin e tyre në trishtim”.

E kjo ngjarje ndodh pikërisht në vigjilje të arritjes së Papës Françesku në Bangladesh. 








All the contents on this site are copyrighted ©.