2017-11-28 13:03:00

Papa takon presidentin e Mianmarit dhe Aung San Suu Kyi


Papa Françesku mbërriti sot paradite në Nay Pyi Taw (No Pi To) për një sërë takimesh institucionale. Fillimisht u takua me presidentin e vendit, Htin Kyaw, në Pallatin presidencial. Presidenti e priti Atin e Shenjtë në sheshin para Pallatit. Pas ekzekutimit të himneve kombëtare, të dyja grupet, ai vatikanas dhe ai birman, hynë në Pallatin luksoz, ku Ati i Shenjtë nënshkroi Librin e Nderit dhe bëri fotografitë zyrtare, së bashku me presidentin Kyaw.

         Më pas, u zhvilluan bisedimet private, në një sallë me presidentin dhe në një tjetër, me Aung San Suu Kyi, ministre e jashtme dhe këshilltare shtetërore, Çmim Nobel për Paqen. Nga ana e saj, liderja birmane pohoi se takimi me Papën “e thekson besimin tonë në forcën e paqes dhe në mundësinë për arritjen e saj”. Përmendi krizën e Rakhine-s (ku jetojnë myslimanët “rohingya”) dhe e quajti Atin e Shenjtë “mik të mirë”, mbështetja e të cilit për arritjen e paqes ka vlerë të paçmuar. “Objektivi ynë më i rëndësishëm – nënvizoi San Suu Kyi – është të vijojmë procesin e paqes, bazuar mbi Marrëveshjen e armëpushimit në nivel kombëtar, nisur nga qeveria e mëparshme. Udha për paqen nuk është gjithnjë e shtruar, por është e vemtja rrugë, që do t’i realizojë popullit tonë ëndrrën për një tokë të begatshme, e cila do të jetë streha, krenaria dhe guximi i tij. Kërkimi i paqes duhet të përforcohet nga arritja e zhvillimit të qëndrueshëm, me qëllim që të sigurohet e ardhmja e brezave të rinj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.