2017-11-28 11:04:00

Papa krerëve fetarë të Mianmarit: paqja është bashkim në larmi


Vijon udhëtimi i 21-të apostolik i Papës Françesku në Mianmar e Bangladesh. Sot, paradite, në kryeipeshkvinë e Yangon-it, në Mianmar, Ati i Shenjtë u takua me 17 krerë fetarë të vendit: budistë, myslimanë, hinduistë, hebrenj, katolikë dhe të krishterë të tjerë. Biseda me ta zgjati rreth 40 minuta. Pasi folën eksponentë të ndryshëm, Papa iu drejtua të pranishmëve në spanjisht, lirshëm e pa letër. Duke cituar psalmet, nënvizoi: “Sa bukur është t’i shohësh vëllezërit të bashkuar”. “Të bashkuar – shtoi – nuk do të thotë të njëllojtë. Uniteti nuk është uniformitet, edhe brenda të njëjtit besim. Secili ka vlerat, pasuritë dhe mungesat e veta”.

         “Jemi të gjithë të ndryshëm – vijoi Papa Françesku – e çdo besim ka trashëgiminë, traditat, pasurinë e vet, që mund ta dhurojë, ta ndajë me të tjerët. E kjo mund të ndodhë vetëm nëse jetohet në paqe. E paqja arrihet në korin e larmisë. Bashkimi arrihet duke respektuar ndryshimet”.

         Paqja, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, është “harmoni”. Këto kohë “përjetojmë një prirje botërore drejt uniformitetit, për ta bërë çdo gjë njëlloj, kudo. Kjo do të thotë ta vrasësh njerëzimin. Ky është kolonizim kulturor. Duhet ta kuptojmë pasurinë e ndryshimeve tona – etnike, fetare, popullore – pasi nga këto ndryshime lind dialogu. Për hir të këtyre ndryshimeve mësojmë nga të tjerët, si vëllezër”. E kështu, i nxiti Papa krerët fetarë të Mianmarit, mund të jepni ndihmesën tuaj “për ta ndërtuar këtë vend, që, edhe gjeografikisht, ka kaq shumë pasuri e larmi. Natyra e Mianmarit është shumë e pasur me larmi. Nuk duhet të kemi frikë nga larmia! Një i vetëm është Ati ynë qiellor. Jemi vëllezër. Të mbetemi vëllezër. E nëse diskutojmë ndërmjet nesh, ta bëjmë si vëllezërit, që menjëherë pajtohen. Gjithnjë mbeten vëllezër. Mendoj se vetëm në këtë mënyrë, mund të arrihet paqja”.

         Së fundi, thirrja e Papës Françesku: “Ndërtoni paqen. Mos lejoni të uniformoheni nga kolonizimi i kulturave. Harmonia e vërtetë hyjnore arrihet përmes ndryshimeve. Ndryshimet janë pasuri për paqen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.