2017-11-28 15:03:00

Në OKB flitet për trafikun e skllevërve nga Libia


Trafiku i skllevërve nga Libia, sot ishte në qendër të diskutimeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në presidencën italiane. Takimi u thirr nga Franca, pas përhapjes së disa filmimeve, në të cilat tregohej shitja në ankand e emigrantëve. “Krim kundër njerëzimit” - e pati përkufizuar pak ditë më parë Presidenti francez Macron, duke vënë theksin mbi këtë shëmtim, që po përsëritet në historinë e njerëzimit.

Bashkësia ndërkombëtare duket se do të flasë me një zë të vetëm përballë këtyre praktikave, duke marrë masa të reja për t’iu kundërvënë trafikut të qenieve njerëzore ardhur nga Libia. E po kjo temë është edhe në qendër   të takimit të rangut të lartë të Bashkimit Evropian dhe atij Afrikan, parashikuar për nesër e të enjten, në Bregun e Fildishtë.

Ndërkaq 1.500 vetë kanë arritur në Itali vetëm brenda dy ditëve e po aq janë rikthyer në Libi. E pavarësisht nga ndërprerja e përkohshme dhe marrëveshja me institucionet e ligshta libike, nisjet nuk pakësohen, ashtu si nuk pakësohen as mizoritë kundër emigrantëve.

Sipas atë Camillo Ripamonti, kryetar i qendrës Astalli, “është e papranueshme që qeveritë evropiane të nënshkruajnë marrëveshje me  autoritetet e paqëndrueshme libike për ndalimin e flukseve. Janë të mira  nismat, që e përballojnë problemin, por duhet vepruar urgjentisht, sepse kushtet e emigrantëve janë të çnjerëzore”.

“Për të mos u bërë bashkëpunëtorë me trafikantët - vijon atë Ripamonti - do të ishte e nevojshme të hapeshin korridore humanitare dhe institucionet ndërkombëtare të mund të hynin në qendrat e burgimit, në Libi. Këta vëllezër tanë - siç e kujton shumë herë Papa Françesku  - janë korpi i Krishtit e, shtoj unë, të kryqëzuarit e historisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.